U publikoi emrat, GJKKO shpall të pafajshme deputeten e PD-së, Denisa Vata mund patronazhistët e Agron Malajt

GJKKO shpalli sot të pafajshme deputeten e PD-së Denisa Vata e cila u padit për shpifje nga patronazhistët e Agron Malajt, deputeti i PS-së, ish kryetari i bashkisë së Matit.

Vendimi për të cilën edhe përfaqësuesi i SPAK, Bledar Maksuti kërkoi pafajësi, u mor nga gjyqtari Bib Ndreca mbi një kërkesë penale të ngritur nga disa punonjës të Bashkisë Mat të cilët ishin akuzuar nga deputetja se po bënin fushatë elektorale dhe blerë vota me mjete shterërore në favor të Partisë Socialiste, që sipas gjykatës deklarimet e Vatës nuk përbën fakt penal ndaj saj.

Ndërkohë në tërësinë e provave, mbrojtja e deputetes përmes Adriana Kalasë, vërtetoi para gjykatës se urdhri për këto kërkesa penale, fillimisht më 12 persona më pas të reduktuar në 7 pasi hoqën dorë ishte dhënë nga deputeti socialist Afron Malaj, që vërtetohet me dokumentin më poshtë.

Sipas Kalasë, Malaj urdhëronte punonjësit të takoheshin me juristin e bashkisë Eduart Abazi për procedurën e padisë për shpifje. Po kështu sipas dokumentave me të cilat është njohur gjykata dhe SPAK, evidentohet kalendari i fushatës, ndër to edhe personat kallëzues, që këtë fushatë e kishin bërë në orar të punës. Kalaja deklaroi për mediat, se ai që duhet hetuar është Agron Malaj pikërisht për faktet që parashtroi në gjykatë.

“Sot gjyqtari Bib Ndreca, shpalli të pafajshme deputeten Denisa Vata, pasi nuk e konsideroi si fakt penal argumentin e ngritur nga viktima akuzuese, që në fakt nuk janë ata personat kryesorë, por siç e kemi vërtetuar edhe gjatë gjykimit, edhe provave që ju kam nisur juve si media, është deputeti Agron Malaj, ish-drejtuesi i Bashkisë Mat, i cili me vendime, me hapa apo veprime të mirëfillta korruptive penale, me ushtrim të ndikimit të paligjshëm, ka kërkuar që punonjës të ndryshëm të Bashkisë Mat, për të intimiduar deputeten Denisa Vata, të bënin kërkesa penale. Madje këtë thirrje e bën që këta punonjës t'i drejtoheshin juristëve të Bashkisë Mat

Kalaja i kërkoi SPAK të nisë hetimet për krim zgjedhur dhe korrupsion ndaj Malajt mbështetur dhe në provat që ata kanë në dispozicion, një prej tyre grafiku i bërjes fushatë nga punonjës të Bashkisë Mat

“Kjo është një vepër tjetër penale. Dhe ndërkohë e vërtetuam edhe pranë Gjykatës Penale të Posaçme, që përveç provave që ne kemi paraqitur, siç është grafiku i bërjes fushatë nga punonjës të Bashkisë Mat, pra është rasti ku SPAK-u duhet të nisë çështjen për krim zgjedhor, nga ana tjetër kemi depozituar edhe raportin përfundimtar të OSBE-ODIHR-it, ku është vërtetuar që nuk ka më dallim midis partisë edhe institucioneve shtetërore.

Kështu që gjykata në tërësinë e provave vlerësoi që nuk kemi të bëjmë me vepër penale dhe shpalli të pafajshme deputeten Denisa Vata.

Ndërkohë, ne i bëjmë thirrje SPAK-ut që në këtë dosje, po edhe në kallëzimet penale që ne kemi bërë si Parti Demokratike, ka prova të mjaftueshme që deputeti aktual Agron Malaj, por edhe ish-kryetari i Bashkisë Mat të merret i pandehur për vepra të ndryshme penale, por sidomos për korrupsionin dhe për krim zgjedhor.”