Goditet rrjeti ndërkombëtar i trafikut të kokainës, 35 të arrestuar në Itali në operacion kundër strukturës së lidhur me klanin mafioz Alvaro

Një megaoperacion i autoriteteve italiane ka goditur një rrjet të organizuar të trafikut ndërkombëtar të kokainës, duke çuar në arrestimin e 35 personave të dyshuar si pjesë e një organizate kriminale të lidhur me klanin mafioz kalabrez Alvaro.

Operacioni u zhvillua në orët e para të mëngjesit nga mbi 200 efektivë të Karabinierëve, të cilët ekzekutuan masat e sigurisë të lëshuara nga Gjykata e Reggio Calabria-s me kërkesë të Drejtorisë së Antimafias. Aksioni u shtri në disa qytete italiane, përfshirë Reggio Calabria, Catanzaro, Cosenza, Palermo, Catania, Trapani, Caltanissetta, Torino, Milano, Pavia, Pescara dhe L’Aquila.

Sipas hetuesve, organizata kriminale kishte ngritur një rrjet të mirëstrukturuar për importimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut, përmes portit të Gioia Tauro-s, dhe më pas për magazinimin, transportin dhe shpërndarjen e drogës në tregun ilegal italian.

Të arrestuarit akuzohen për pjesëmarrje në organizatë kriminale me rrethana mafioze, trafik ndërkombëtar narkotikësh, armëmbajtje pa leje, tentativë rrëmbimi për qëllime zhvatjeje dhe vepra të tjera penale. Në total, ndaj tyre janë ngritur 47 akuza.

Hetimet kanë dokumentuar disa episode të importimit të kokainës, me një volum të përgjithshëm prej mbi 300 kilogramësh lëndë narkotike. Një pjesë e ngarkesave është sekuestruar nga autoritetet, ndërsa të tjera dyshohet se kanë hyrë në treg.

Një rol kyç në zbardhjen e aktivitetit kriminal ka luajtur analiza e komunikimeve të koduara në platformën SKY ECC, përmes së cilës hetuesit kanë rindërtuar strukturën organizative të grupit dhe mënyrën e funksionimit të tij.

Sipas dosjes hetimore, aktiviteti kriminal është zhvilluar gjatë viteve 2020-2021. Prokuroria italiane pretendon se drejtuesit e organizatës, edhe pse ndodheshin në burg, vijonin të drejtonin operacionet përmes bashkëpunëtorëve dhe familjarëve jashtë institucionit të vuajtjes së dënimit.

Përveç trafikut të drogës, hetimi përfshin edhe akuza për armëmbajtje, tentativa zhvatjeje dhe tentativa rrëmbimi. Në dosje përmendet edhe një sulm me armë ndaj një aktiviteti tregtar, i cili sipas prokurorisë kishte si qëllim forcimin e ndikimit të grupit në territor dhe favorizimin e interesave të tij kriminale.

Sipas autoriteteve italiane, lidhjet me familjen mafioze Alvaro i kanë siguruar organizatës një pozicion të rëndësishëm në rrjetet kriminale dhe kontakte me grupe të tjera të trafikut ndërkombëtar të drogës, me synimin jo vetëm për përfitime ekonomike, por edhe për zgjerimin e kontrollit territorial të strukturës mafioze./ Alba Kepi