Shtyhet mbledhja e Komisionit të Reformës Zgjedhore, Ndoja: Të vijë drejtori dhe vartësit

Mungesa e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skëndër Hita në mbledhjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore për të raportuar mbi problematikat për zgjedhjet solli sot shtyrjen e mbledhjes.

Deputeti i PD-së, Arjan Ndoja kërkoi që në komision të jenë të pranishëm dhe vartësit për të diskutuar krimet zgjedhore.

"Në qoftë se ne duam të bëjmë një produkt dhe reforma kërkon konsensus, në këndvështrimin tim edhe nga shpjegimi që ka në fjalorin e gjuhës shqipe edhe në fjalorin politik, reforma nënkupton dialogun e të dy palëve.

Për shembull, duhet nëndrejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit që ka të bëjë me hetimin. Pikërisht për atë kuadrin e formimit të grupeve të përbashkëta hetimore, qoftë me agjencitë e tjera ligjzbatuese.

Ndoshta, nuk dua ta ofendoj zotërinë, po kam përshtypjen se s'e ka informacionin e duhur. Ose pyetje konkrete. Pra, të vijnë edhe drejtori, nëndrejtori për hetimin, sepse ato që i thamë prokurorit të përgjithshëm dhe SPAK-ut për mënyrën si do ndërtojmë ato bërthamat hetimore, kanë të bëjnë drejtpërdrejt me atë. Unë jam jashtë pyetjeve që kanë të bëjnë me raste konkrete, sepse për shembull, një pyetje konkrete do ishte:

Si ka mundësi që për disa urdhërarreste që nxjerr me vendim gjyqësor, dhe me urdhër ekzekutimi të prokurorit të SPAK-ut ose të prokurorit të përgjithshëm, këta e ekzekutojnë në një moment të mëvonshëm me arsyetimin që policia, e cila është e detyruar të zbatojë vendimin gjyqësor, thotë: "nuk është momenti i përshtatshëm që t'i kapim të gjithë bashkë".

Kjo ka ndodhur te ngjarja ime, s'po flas për të tjerët. Te ngjarja ime personale, nuk po flas për zgjedhjet. Pra, këtë është bashkërendim që e ka edhe prokuroria edhe policia. Nuk është çështje tekash që ta bëjmë. Pra, të marrim dhe nëndrejtorin e përgjithshëm të hetimit...

Nëndrejtori i hetimit. Në qoftë se e ndjen të arsyeshme për ndonjë nga këta që kanë të bëjnë me krimin kibernetik, ose çfarë janë këto teknologjia që janë fiks të specifikuara në lidhje me krimet zgjedhore që kemi parashikuar, sepse nuk na funksionoi ai memorandumi i përbashkët i SPAK-ut, i prokurorisë së përgjithshme e këto.

Njëra kishte të bënte me kompetencën e njërit apo tjetrit. Kur ti ishe deputet dhe ishe njëkohësisht në vazhdimin e mandatit tënd të ri, domethënë për zgjedhje, dhe një i ri që ishte... unë isha kompetencë e juridiksionit të përgjithshëm, ti ishe i SPAK-ut. Dhe ngatërroheshin kompetencat, ndërkohë që policia është e njëjta, është e detyruar ta hetojë çështjen. Si mund të bëhet diçka më e saktë që ta bëjmë në reformë? Kjo është ideja."