Përçarje në opozitën turke / Özgür Özel njofton krijimin e një partie të re

Lideri i shkarkuar i opozitës turke, Özgür Özel, ka bërë të ditur se do të krijojë një parti të re politike, pas përplasjeve të fundit brenda Partisë Republikane Popullore (CHP).

Në një fjalim para Parlamentit turk në Ankara, Özel deklaroi se fillimisht do të zhvillojë konsultime me drejtuesit vendorë dhe këshillin e partisë, përpara themelimit zyrtar të subjektit të ri politik.

“Ne qëndrojmë në pragun e një lamtumire të trishtë, një që është bërë e pashmangshme dhe koha e së cilës ka ardhur. Por mbajmë brenda vetes shpresën për një fillim të ri”, u shpreh Özel.

Sipas tij, partia e re do të ketë orientim socialdemokrat dhe do të mbështetet në parimet e themeluesit të Republikës së Turqisë, Mustafa Kemal Atatürk.

Mediat turke raportojnë se subjekti i ri mund të quhet “Partia e Re” dhe pritet të themelohet nga disa deputetë të CHP-së. Sipas vlerësimeve, rreth 80 nga 135 deputetët e partisë opozitare mund t’i bashkohen Özelit, çka do ta kthente menjëherë forcën e re në partinë më të madhe opozitare në vend.

Kriza brenda CHP-së është thelluar pas vendimeve të gjykatave turke ndaj drejtimit të partisë. Në fund të majit, një gjykatë në Ankara anuloi kongresin e vitit 2023, ku Özel ishte zgjedhur lider, duke e larguar atë nga detyra.

Vendimi shkaktoi protesta në disa qytete turke, ndërsa Özel akuzoi qeverinë e presidentit Recep Tayyip Erdoğan për ndërhyrje politike në proceset gjyqësore.

CHP kishte shënuar një fitore të rëndësishme ndaj partisë së Erdoğanit në zgjedhjet lokale të vitit 2024, por që atëherë disa figura të opozitës janë përballur me hetime dhe arrestime, përfshirë ish-kryebashkiakun e Stambollit, Ekrem İmamoğlu.

Formimi i partisë së re nga Özel pritet të sjellë një riorganizim të madh në skenën politike turke dhe të ndikojë në ekuilibrat e opozitës përballë pushtetit aktual.