Botërori 2034 në Arabi mund të shtyhet për në 2035-ën, shkak bëhen temperaturat dhe Ramazani

Kupa e Botës që do të organizohet nga Arabia Saudite mund të hyjë në histori për një arsye të pazakontë.

Sipas raportimeve të medias britanike “The Sun”, turneu i planifikuar për vitin 2034 mund të shtyhet dhe të përfundojë në vitin 2035 për shkak të përplasjes me muajin e Ramazanit.

Organizatorët janë përballur që në fillim me sfidën e temperaturave shumë të larta gjatë verës, ndërsa zgjidhja e përdorur në Katar 2022, zhvillimi i turneut në nëntor dhe dhjetor, këtë herë nuk duket e mundur.

Arsyeja është se Ramazani i vitit 2034, sipas kalendarit hënor islamik, do të zgjasë nga 12 nëntori deri më 12 dhjetor, duke e bërë pothuajse të pamundur zhvillimin e ndeshjeve gjatë kësaj periudhe.

Një nga skenarët që po shqyrtohet është që Botërori të nisë në fund të dhjetorit 2034 dhe të përfundojë në fund të janarit 2035. Një alternativë tjetër është që i gjithë turneu të zhvillohet gjatë janarit dhe shkurtit të vitit 2035.

Nëse ndodh kjo, Kupa e Botës do të bëhet e para në histori që shtrihet në dy vite kalendarike, ose e para që zhvillohet në një vit me numër tek, pavarësisht se mban emrin "Botërori 2034".

Vendimi përfundimtar mbi datat e turneut pritet të merret nga FIFA gjatë vitit 2027, pasi të analizohen të gjitha opsionet për organizimin e kompeticionit më të madh të futbollit botëror.