Dosja ‘Haxhiu’/ Deshmia e babait të Elton Mermalit: Nuk e di kush e vrau djalin tim
Në seancën gjyqësore për dosjen kundër grupit të Laert Haxhiut, për vrasjen Elton Mermalit, i ati i viktimës, Kujtim Mermali, dha dëshminë e tij në GJKKO për rrethanat para dhe pas ngjarjes, si edhe për të shkuarën e të birit. Ai deklaroi se nuk ka dijeni për autorët apo motivet e vrasjes, ndërsa foli edhe për problemet që Elton Mermali kishte pas daljes nga burgu, ndryshimin e emrit dhe njohjet e tij.
Kujtim Mermali: “Elton Mermalin e kam djalë. Një natë para ngjarjes, të shtunën në darkë, doli nga shtëpia dhe nuk u kthye më. U njoftuam se e kishin vrarë dhe se i kishin gjetur trupin. Fillimisht e çuan në Peqin, më pas në morgun e Elbasanit. Policia kishte njoftuar vajzën time të madhe që jeton në Itali dhe ajo më telefonoi. Shkova në morg, mora trupin e djalit dhe e solla në shtëpi.
Motivet nuk i di fare. Nuk vë gisht ndaj askujt, sepse nuk e di kush e ka vrarë. Eltoni ishte fëmija im i dytë. Pas burgut nuk ishte mirë dhe nuk punonte. Në Itali u arrestua fillimisht në vitin 2004, qëndroi dy muaj në burg dhe më pas u la në arrest shtëpie. E sollën në Shqipëri pasi akuzohej për vrasjen e Artan Sulçes.
Në dijeninë time, djali nuk ka qenë i përfshirë në atë vrasje, sepse po të ishte, hakmarrja do të ishte marrë që në atë kohë. Ai ishte akuzuar bashkë me grupin e Aldo Bares.
Laert Haxhiun e njoh shumë mirë. Ka ngrënë bukë në shtëpinë time dhe e kam strehuar kur e rrihte i ati. Nuk di të them nëse vrasja e djalit tim është bërë për hakmarrje për ngjarjet e vitit 1997.
Djali nuk i ruhej askujt. Doli nga burgu i Peqinit më 6 maj 2021 dhe u vra më 17 tetor 2021. Kur doli nga burgu nuk ishte mirë. Nuk e di kush i fuste lëndë narkotike brenda burgut, ndërsa në shtëpi nuk përdorte. Me mua sillej shumë mirë dhe nuk ishte agresiv. Asnjëherë nuk më tha se kërcënohej nga dikush në burg.
Njihej me pseudonimin ‘Kinezi’ për shkak të syve të vegjël. Pas daljes nga burgu ndërroi emrin në Alban Semaku. Më kishte thënë se Artan Tafani do t’i gjente një punë kur të takoheshin.”