Dhunë në familje/ Arrestohet në Rinas 34-vjeçarja, dërgohet në burg me foshnjën 7-muajshe
Një 34-vjeçare është arrestuar në Aeroportin e Rinasit menjëherë pas mbërritjes nga Gjermania, pasi ndaj saj ishte në fuqi një urdhër ekzekutimi për një dënim me 2 muaj burg, të dhënë në mungesë për veprën penale të dhunës në familje ndaj vjehrrit.
Arrestimi i saj është shoqëruar me vështirësi për shkak të tre fëmijëve të mitur që ndodheshin me të gjatë kthimit në Shqipëri. Sipas burimeve, gruaja kishte me vete një foshnje vetëm 7 muajshe, si dhe dy fëmijë të tjerë të moshës 2 dhe 4 vjeç. Ajo mësohet se ka kërkuar që fëmijët të qëndronin pranë saj, duke deklaruar se nuk kishte kujt t’ua linte.
Pas përfundimit të procedurave, autoritetet kanë vendosur transferimin e 34-vjeçares në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Pojskë, ndërsa foshnja 7-muajshe ka qëndruar me të në institucion. Fëmija 2-vjeçar pritet t’i bashkohet nënës gjatë ditës së nesërme, ndërsa për fëmijën 4-vjeçar janë marrë masa që të kujdesen familjarët.
Edhe pse dënimi prej 2 muajsh burg përfshihet në dispozitat e ligjit të amnistisë, autoritetet kanë vlerësuar se 34-vjeçarja i ishte shmangur ekzekutimit të vendimit gjyqësor. Për këtë arsye, urdhri i arrestit është zbatuar pas kthimit të saj në territorin shqiptar.