'S'u pagujanë qiranë e tokës' – Banorët e Patos-Marinzës protestojnë para Bankers, paralajmërojnë përshkallëzim

Dhjetëra banorë të fshatrave të zonës naftëmbajtëse Patos–Marinzë protestuan paraditen e së martës, 22 korrik, përpara zyrave të kompanisë Bankers Petroleum, duke kërkuar shlyerjen e qirasë së tokave që ata thonë se nuk u është paguar që nga fillimi i vitit 2026.

Sipas protestuesve, rreth 800 banorë nga fshatrat Marinzë, Belinë, Sheqishte, Zharrëz, Kallm, Frashër dhe Kuman nuk kanë marrë pagesën vjetore për tokat e dhëna me qira, të cilat kompania i përdor prej vitit 2010 për rrugë, parkingje, sheshe teknike dhe puse nafte.

Banorët kërkojnë respektimin e kontratave ekzistuese dhe zbatimin e detyrimeve ligjore. Ata kundërshtojnë ndryshimin e kontratave nga afat njëvjeçar në dyvjeçar, si edhe përgjysmimin e vlerës së qirasë, duke e cilësuar këtë si një veprim të padrejtë që u cenon të ardhurat.

Protestuesit paralajmëruan se, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, do të përshkallëzojnë protestat dhe do të kërkojnë rikthimin e tokave në gjendjen e mëparshme, duke i hequr nga përdorimi i kompanisë.

Për banorët e zonës naftëmbajtëse Patos–Marinzë, të ardhurat nga qiraja e tokave përbëjnë një nga burimet kryesore të jetesës, ndaj ata kërkojnë zgjidhje të menjëhershme dhe respektim të plotë të kontratave.