Vokshi: Në ditën e zgjedhjeve policia inekzistente, bëmë 1 mijë telefonata! S'vjen Hita, shtyhet mbledhja

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka kërkuar që në Komisionin për Reformën Zgjedhore të paraqitet drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, duke kundërshtuar pjesëmarrjen vetëm të një zëvendësdrejtori.

Gjatë mbledhjes së komisionit, Vokshi tha se opozita ka kërkuar raportet zyrtare të Policisë së Shtetit për procesin zgjedhor, por sipas saj ato nuk u janë vënë në dispozicion.

“Pyetja e parë që bëra kur u ula në tavolinë ishte që të na përcillni raportin e shkruar të ardhur nga Policia e Shtetit, siç është bërë në rastet e tjera. Më thanë që nuk ka raport. Nëse paska raport, shumë mirë, të na vihet në dispozicion që ta kemi, ta konsultojmë dhe të diskutojmë mbi të”, deklaroi Vokshi.

Deputetja demokrate u shpreh se nëse në komision kanë ardhur drejtues të institucioneve të tjera, duhet të jetë i pranishëm edhe kreu i Policisë së Shtetit.

“Ka ardhur Prokurori i Përgjithshëm me gjithë prokurorët e tjerë. Nëse drejtori i Policisë së Shtetit nuk është i aftë të përballet në një komision parlamentar, atëherë të vijë dikush tjetër në emër të policisë. Ne kemi kërkuar krerët”, tha ajo.

Vokshi akuzoi Policinë e Shtetit për mungesë efektiviteti gjatë zgjedhjeve, duke iu referuar edhe raporteve ndërkombëtare, sipas saj, që kanë evidentuar problematika në këtë drejtim.

“S’ka funksionuar policia, krimi i organizuar ka bërë çfarë ka dashur duke intimiduar, dhunuar votuesit dhe duke blerë vota. Policia ka qenë inekzistente. Kemi bërë mbi 1000 telefonata te numrat e vënë në dispozicion para ditës së zgjedhjeve. Ku ishte policia?”, u shpreh Vokshi.

Ajo solli edhe një rast personal nga dita e zgjedhjeve, duke thënë se ishte përballur e vetme me një grup personash pranë një qendre votimi.

“Kam qenë e vetme përballë një bande me 100 persona përpara qendrës së votimit. Ku ishte policia? Ishte thirrur nga unë dhe nga komisionerët”, deklaroi deputetja.

Vokshi kërkoi që në mbledhjen e ardhshme të jenë të pranishëm drejtori i Policisë së Shtetit, drejtuesit e qarqeve dhe strukturat përkatëse, për të dhënë përgjigje mbi problematikat e zgjedhjeve.

Ajo u shpreh se opozita ka evidentuar rreth 40 banda kriminale në 11 qarqe që, sipas saj, kanë vepruar para zgjedhjeve dhe ngriti pyetje për mungesën e reagimit nga policia.

Më tej u dakordësua që të pranohet kërkesa e opozitës dhe të shtyhet mbledhja si shkak i mungesës së drejtorit të përgjithshëm të Policisë.