Rama 'profet' i dështimit të vet, ja çfarë thoshte 10 vite më parë për shpopullimin e fshatrave

Dhjetë vite më parë, kryeministri Edi Rama e pranonte vetë se fshati shqiptar po përballej me një krizë të thellë dhe paralajmëronte se, pa ndërhyrje serioze, vendi do të përballej me boshatisjen e zonave rurale dhe braktisjen e tokave bujqësore.

Por një dekadë më vonë, ajo që Rama e cilësonte si një rrezik të së ardhmes, është kthyer në një realitet të dukshëm në shumë zona të Shqipërisë. Fshatra të tëra janë zbrazur nga banorët, të rinjtë kanë marrë rrugën e emigrimit, ndërsa tokat kanë mbetur pa u punuar.

Në deklaratën e tij të bërë vite më parë, Rama thoshte se qeveria ishte e vetëdijshme për “vetminë e fshatit” dhe se mungesa e mbështetjes për fermerët mund të sillte një situatë ku nuk do të kishte më njerëz që të merreshin me tokën.

Megjithatë, pas 10 vitesh, qeveria duhet ta pranojë faktin se ky proces nuk u ndal. Fermerët vijojnë të përballen me vështirësi ekonomike, ndërsa largimi i popullsisë rurale ka marrë përmasa të mëdha.

Sot, në shumë fshatra të vendit, panorama është ajo e shtëpive të braktisura, tokave të lëna djerrë dhe komuniteteve të tkurrura. Paralajmërimi i bërë nga vetë Rama një dekadë më parë, është dëshmi e gjallë se qeveria nuk arriti të frenojë shpopullimin e fshatit shqiptar, por më keq se kaq, e nxiti vetë atë duke mos marrrë asnjë masë për një problem që vetë kryeministri e ka evidentuar.