‘Bombë’ në merkato! Arsenali sakrifikon Gyokeres për të sjellë Julian Alvarezin

Arsenali është shumë pranë një prej goditjeve më të bujshme të kësaj vere, teksa po negocion me Atletico Madridin për transferimin e sulmuesit argjentinas Julian Alvarez.

Sipas raportimeve nga Spanja, "Topçinjtë" kanë paraqitur një ofertë që përfshin 50 milionë euro, si dhe kartonin e Viktor Gyokeres.

Formula e propozuar duket se ka bindur drejtuesit e Atletico Madridit, të cilët kanë dhënë miratimin paraprak për realizimin e marrëveshjes.

Megjithatë, sipas “El Chiringuito”, transferimi nuk është mbyllur ende. Gjithçka varet nga marrëveshjet personale që duhet të arrijnë dy futbollistët me klubet e tyre të reja.

As Julian Alvarez dhe as Viktor Gyokeres nuk kanë dhënë ende dritën jeshile përfundimtare.

Interesant është fakti se dëshira e parë e Alvarezit ishte transferimi te Barcelona.

Klubi katalanas kishte ofruar 100 milionë euro për sulmuesin argjentinas, por Atletico Madridi refuzoi menjëherë ofertën, duke mos pranuar të negociojë me rivalin e drejtpërdrejtë.

Nga ana tjetër, mbetet për t’u parë nëse Gyokeres do të pranojë të largohet nga Arsenali.

Sulmuesi suedez ishte një nga protagonistët e sezonit të kaluar, duke ndihmuar londinezët të fitonin titullin e Premier League dhe të arrinin deri në finalen e Ligës së Kampionëve.

Nëse marrëveshja finalizohet, Arsenali do të sigurojë një nga sulmuesit më cilësorë të futbollit europian, ndërsa Atletico do të zëvendësonte Alvarezin me një tjetër bomber të nivelit të lartë.