13 miliardë dollarë! Botërori 2026 shndërrohet në ‘minierën e artë’ të FIFA-s

Kupa e Botës 2026 pritet të hyjë në histori jo vetëm për spektaklin në fushë, por edhe për fitimet marramendëse që do t’i sjellë FIFA-s.

Organizata më e lartë e futbollit botëror parashikon të arkëtojë mbi 13 miliardë dollarë, duke e bërë këtë edicion më fitimprurësin e të gjitha kohërave.

Fillimisht, FIFA kishte projektuar të ardhura rreth 11 miliardë dollarë, por interesi i jashtëzakonshëm për turneun ka bërë që parashikimet të rriten ndjeshëm.

Zgjerimi i Botërorit në 48 skuadra, zhvillimi i plot 104 ndeshjeve dhe kërkesa e lartë për bileta kanë ndikuar drejtpërdrejt në këtë rekord financiar.

Krahasuar me Botërorin e Katarit në vitin 2022, i cili gjeneroi rreth 7.5 miliardë dollarë, edicioni që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë pritet të sjellë një rritje të jashtëzakonshme të të ardhurave.

Megjithatë, FIFA nuk synon të ndalet këtu. Organizata po shqyrton seriozisht mundësinë që Kupa e Botës 2030 të zgjerohet nga 48 në 64 skuadra, një lëvizje që do të sillte edhe më shumë ndeshje, më shumë të drejta televizive dhe fitime edhe më të mëdha.

Nëse ky projekt merr dritën jeshile, Botërori do të hyjë në një epokë të re, duke u shndërruar jo vetëm në ngjarjen më të madhe sportive të planetit, por edhe në një nga bizneset më fitimprurëse në botën e sportit.