'Rama po përballet me presion në rritje'/ Çeno: SHBA e BE-ja po vëzhgojnë, priten zhvillime të reja...

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enri Çeno, deklaroi në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV se qeveria e Edi Ramës po përballet me një presion në rritje nga partnerët ndërkombëtarë për shkak të shqetësimeve mbi demokracinë dhe procesin zgjedhor në Shqipëri.

Sipas tij, raporti i Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian (AFET) e bën të qartë se Shqipëria nuk mund të anëtarësohet në Bashkimin Europian pa zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ai shtoi se deklaratat kritike të eurodeputetëve ndaj kryeministrit nuk janë personale, por pasqyrojnë qëndrime institucionale.

Çeno u shpreh gjithashtu se opozita është në komunikim të vazhdueshëm me partnerët në Bruksel, Uashington dhe Berlin, ndërsa paralajmëroi se priten zëra të tjerë kritikë ndaj qeverisë Rama, si edhe zhvillime e skandale të reja që, sipas tij, do të jenë nën vëzhgimin e institucioneve europiane dhe amerikane.

Çeno:

Në seancë pra ka kaluar në komisionin e jashtëm, ka kaluar në komisionet e tjera me sukses. Ajo do realizohet sepse është një bashkëveprim bipartizan ku të dyja forcat politike, edhe demokratët edhe republikanët amerikanë, kanë bërë disa amendamente. Këto, ne po flasim për amendamentin 387 nëse nuk gaboj nga numri, të cilët bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor, konkretisht për problematikat e Shqipërisë dhe Serbisë, ku Joe Wilson i ka shtyrë përpara dhe ka një sërë amendamentesh të tjerë të cilët janë propozuar nga demokratët. Pra kjo paketë amendamentesh dhe ligjesh do kalojë duke u votuar.
Është anëtar i komisionit të jashtëm të Kongresit Amerikan. Është një zë mjaft i fuqishëm në Kongresin Amerikan prej dekadash tashmë. Kështu që po flasim për nivelin e atyre politikanëve të vjetër 'senior' siç i quajnë amerikanët. Sigurisht që mund të mos jetë serioz në sytë e analistëve apo të Edi Ramës, por është mjaft serioz për votuesit amerikanë. E njëjta me eurodeputetin çek.

Kjo është e qartë dhe kolegët tanë që mbrojnë Ramën dhe, s'po përmend emra këtu, kanë thënë që ky është një kërcënim i turpshëm, kërcënim e kanë quajtur. Ka një raport, pra, AFET-i, komisioni i jashtëm i Parlamentit Europian, dërgoi para pak kohësh një grupim faktmbledhës në Shqipëri në lidhje me zgjedhjet e kaluara të majit të 2025-ës. Kanë dalë me një raport zyrtar i cili është aprovuar si nga Komisioni dhe nga instancat e tjera drejtuese të Parlamentit Europian dhe ky raport i ka kaluar të gjitha institucioneve, edhe vetë komisionit dhe drejtueses së komisionit Ursula von der Leyen, e cila deri dje ka qenë një mbështetëse e fortë e kryeministrit shqiptar. Kështu që kemi një raport zyrtar, ai raport përmend problematika mjaft të mëdhaja dhe bëhet e qartë në atë raport që Shqipëria nuk mund të integrohet në instancat e Bashkimit Europian pa prodhuar më parë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Pra pa kushte s'ka gjë të diskutuar. Sigurisht që nuk... edhe prandaj përmenda edhe deklaratën e vetë ministrit të jashtëm gjerman, Wadephul, ku ai thoshte se nuk mjafton hapja dhe përmbyllja e kapitujve që një vend të bëhet automatikisht anëtar i Bashkimit Europian. Duhet të plotësojë një sërë kushtesh, ku thembra e Akilit në rastin e Shqipërisë është gjithmonë realizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Më pas fillohet në krijimin e institucioneve demokratike dhe një sërë hapash të tjerë që duhen realizuar. Pra nuk mjaftojnë vetëm përmbyllja e kapitujve, përmbyllja e kapitujve është një proces burokratik, një sinkronizim i ligjeve shqiptare me ato të Bashkimit Europian. Nuk mjafton vetëm kjo pjesë. Është një deklaratë publike dhe sigurisht që kjo ka ndodhur edhe me vende të tjera përpara Shqipërisë. Pra deklaratat e eurodeputetit janë të sakta, nuk janë kërcënime personale, pra nuk merret një eurodeputet, atje ka mjaft, janë disa qindra eurodeputetë, nuk merren me marrëdhënie personale të kryeministrave të ndryshëm të cilët kërkojnë të integrohen...

Shiko, është një punë e vazhdueshme që zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike, përfshirë dhe mua, është një punë e vazhdueshme, e përditshme në komunikim me aleatët tanë, me miqtë tanë, qoftë në Bruksel, qoftë në Washington apo në Berlin. Duke dërguar informacione, më pas ata kanë bërë hulumtimin dhe fakt check-un...Sigurisht, që një eurodeputet ka hapësirën ligjore dhe fuqinë ligjore për të kërkuar, si të thuash, informacion nga institucionet ligjzbatuese evropiane, qoftë edhe ato të inteligjencës.

Kështu që kjo deklaratë e një eurodeputeti, kushdo qoftë, nuk mund të merret thjesht si një deklaratë, si një marrëdhënie problematike ndërmjet eurodeputetit dhe kryeministrit shqiptar në këtë rast, por duhet të merret si një këmbanë në lidhje me qeverinë shqiptare në këtë moment. Pasi nuk do të jetë zëri i vetëm, zërat po përhapen çdo ditë. Unë i qëndroj fort edhe deklaratës që vetëm para pak javësh ka bërë ministri i Jashtëm i qeverisë gjermane. Pra, ky është opinioni dhe mendimi edhe i zyrtarëve të lartë të qeverisë gjermane, dhe ata bazohen në informacione të sakta nga institucionet e tyre ligjzbatuese.

Ne kemi një shtim të, si të thuash, operatorëve të tyre në rajonin tonë por edhe brenda territorit të Shqipërisë, qoftë nga agjencitë ligjzbatuese apo nga agjencitë e inteligjencës gjermane. Do ketë zëra që do shtohen, pra do ketë eurodeputetë të tjerë të cilët do flasin në lidhje me këtë. Rama mund t'i injorojë të tërë. Pra, ai mund të ketë gjetur edhe atë zërin e shenjtë brenda vetes së tij, në një komunikim me universin, dhe të gjithë të tjerët mund t'i duken si qenie inferiore.Sigurisht, edhe profesionistët do dështojnë, edhe psikoanalistët e mëdhenj, Karl Jungu dhe Frojdi do dështonin në një analizë të tillë, por nuk është ky interesi jonë. Pra, është një punë e vazhdueshme e opozitës shqiptare, e zyrtarëve të saj, në komunikim të vazhdueshëm dhe të drejtpërdrejtë me eurodeputetë, me instancat zyrtare në Evropë dhe përtej oqeanit, dhe përmenda atë që thashë më parë dhe amendamentin e Joe Wilson-it. Pra do kemi një lëvizje më të përshpejtuar.

Nga informacionet që kemi do ketë një vazhdueshmëri, një shpërthim të disa skandaleve të reja. Edhe pse kjo duket si diçka normale, por me interes më të shtuar në këtë moment dhe me vëzhgim më të lartë nga institucionet ligjzbatuese evropiane dhe ato amerikane.