Drita barazon me Florianën në frymën e fundit, kualifikimi mbetet i hapur për ndeshjen e kthimit
Drita nuk arriti ta ruajë avantazhin në transfertën ndaj Florianës, duke u ndalur në një barazim 1-1 në ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues të UEFA Conference League. Gjithçka për fatin e kualifikimit do të vendoset në takimin e kthimit, që do të zhvillohet javën e ardhshme, në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.
Skuadra gjilanase zhvilloi një ndeshje të mirë dhe krijoi disa raste të pastra për shënim. Në pjesën e parë, Igball Jashari iu afrua golit, por u ndal nga portieri vendas.
Edhe pas pushimit, Drita vazhdoi të ishte më këmbëngulëse në sulm, me Arb Manajn dhe Liridon Balajn që vunë në provë mbrojtjen e Florianës, por pa arritur të gjenin rrugën e rrjetës.
Takimi u shoqërua edhe me ndërprerje të përkohshme, pasi disa herë pati probleme me furnizimin me energji elektrike.
Kur dukej se sfida po shkonte drejt barazimit pa gola, Drita goditi në minutën e gjashtë shtesë. Pas një kundërsulmi të shpejtë, Liridon Balaj shënoi për 1-0, duke i dhënë epërsinë skuadrës gjilanase.
Megjithatë, vendasit nuk u dorëzuan. Në minutën e 12-të shtesë, Amar Drina përfitoi nga një rrëmujë në zonën e Dritës dhe realizoi golin e barazimit, duke vulosur rezultatin 1-1.
Kështu, gjithçka mbetet e hapur për ndeshjen e kthimit në Prishtinë, ku Drita do të synojë të sigurojë kualifikimin për në raundin e tretë të Conference League.