Këlliçi: Koha i dha të drejtë Berishës për dosjen ‘Aruba’. Deklarata e eurodeputetit çek për Ramën u censurua nga mediat
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka deklaruar se denoncimet e opozitës ndaj qeverisë Edi Rama janë shpërfillur fillimisht, por sipas tij koha ka treguar se shumë prej tyre kanë rezultuar të vërteta.
I ftuar në emisionin ‘A Show’ me Adi Krastën në SYRI TV, Këlliçi u ndal veçanërisht te ajo që ai e cilësoi si ‘dosja e Arubës’, duke thënë se denoncimi i bërë më herët nga kryetari i PD-së, Sali Berisha, u sulmua nga kundërshtarët, por më pas mori vëmendje pas zhvillimeve të mëvonshme.
Sipas tij, bëhet fjalë për një çështje që lidhet me persona të dyshuar për veprimtari kriminale ndërkombëtare dhe me pretendime për lidhje me eksponentë pranë pushtetit, ndërsa akuzat e ngritura nga opozita janë kundërshtuar nga mazhoranca. Këlliçi solli në vëmendje edhe deklaratën e fundit të eurodeputetit çek, i cili sipas tij ka ngritur akuza të rënda për qeverinë shqiptare dhe pasuritë e zyrtarëve të lartë.
Deputeti i PD-së theksoi se kjo deklaratë, sipas tij, nuk u pasqyrua nga mediat e tjera kombëtare. Këlliçi tha se opozita vijon të publikojë çdo informacion që disponon dhe t’ua dërgojë edhe institucioneve partnere ndërkombëtare.
‘Ne bëjmë gjithçka që kemi në mundësi dhe në kapacitetet tona për ta bërë publike në të mirë të opinionit publik, në shërbim të interesit publik edhe në informim të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, çfarëdo e dhënë që ne kemi poseduar, çfarëdo e dhënë që na vjen si opozitë.
Çdo informacion që na vjen si Partia Demokratike, ne e bëjmë publike në mënyrë të menjëhershme për të pasur dhe një presion pozitiv ndaj institucioneve të drejtësisë për të bërë drejtësi. Sado që këta i zhdukin historitë, sado që tentojnë t'i fshehin, ju keni rastin më flagrant, dosjen e Arubës.
Askush nuk e ka besuar Sali Berishën fillimisht kur ka folur për këtë dosje, të gjithë e kanë kritikuar, por koha i dha të drejtë dhe u faktua që ajo është një dosje e vërtetë, që ka të bëjë me një grup kriminal, me disa nga eksponentët më të mëdhenj të karteleve të drogës në Amerikën Latine dhe në Evropë, të cilët me hartën e Shqipërisë në tavolinë bashkë me eksponentë të Edi Ramës, ndanin Shqipërinë si plaçkë private.
Dhe koha e ka faktuar dhe i ka dhënë të drejtë Partisë Demokratike dhe opozitës. Por, në situatën ku ne ndodhemi, duhet të kuptosh që në një represion total, në një censurë totale, ne vijojmë të bëjmë maksimumin për të bërë transparencë.
Ju keni zhvillimin më të fundit, deklaratën e eurodeputetit çek, ditën e djeshme në Syri TV, që Edi Rama po transporton, po nxjerr lekë, pasuritë që u ka vjedhur qytetarëve më të varfër të Evropës, shqiptarëve, po i nxjerr nga Shqipëria përmes familjarëve të tij, është një deklaratë që nuk është, nuk është transmetuar në asnjë media tjetër veç Syri TV.
Pra duhet të kuptoni dhe realitetin me të cilin përballemi. Por, të gjitha këto raporte ne i çojmë dhe në të gjitha agjencitë ligjzbatuese partnere të vendeve partnere me të cilat kemi bashkëpunim.
Informojmë të gjithë partnerët tanë kudo ku janë, në Evropë dhe në Perëndim, dhe sigurisht vijojmë të bëjmë detyrën tonë. Dhe nga ana tjetër nuk dua të harroj diçka pa thënë.
Shpeshherë kemi dëgjuar histori nga më të ndryshmet që në këtë shesh, ‘jo deputetët e PD-së nuk lejohen’, ‘jo, nuk pranohet opozita’, apo janë thirrjet që shigjetojnë opozitën.
Nuk ka kurrsesi se si një grup i vogël që i bën opozitë opozitës, të intimidojë demokratët apo t'i marrë sheshin demokratëve. Ky shesh është i rinisë, është i qytetarëve, është i çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë që vjen dhe proteston dhe kërkon ndryshimin.
Dhe një grup i vogël, krejtësisht i papërfillshëm që tenton ta përçajë këtë protestë, duke i bërë opozitë opozitës nuk mundet t'i mbivendoset as Partisë Demokratike dhe askujt deputeti apo opozitari që ka 13 vite në opozitë me Edi Ramën, keqqeverisjen dhe korrupsionin e tij’, tha deputeti i PD, Belind Këlliçi ndër të tjera në SYRI TV.