Scaloni: Ditë të dhimbshme! Ja deri kur do të qëndroj tek Argjentina

A do të vazhdojë Lionel Scaloni të jetë trajneri i Argjentinës edhe për një periudhë tjetër? Trajneri 48-vjeçar është rikthyer në vendlindje, ku është pritur nga tifozët e “Albiceleste”-s, të cilët i kërkuan të mos largohet nga drejtimi i kombëtares.

Lionel Scaloni u prit në Pujato, qyteti i tij i lindjes, nga një grup bashkëqytetarësh. “Leo nuk largohet”, ishte thirrja e tifozëve argjentinas, të vetëdijshëm se trajneri aktual dhe nënkampioni i botës mund të japë dorëheqjen pas finales së humbur ndaj Spanjës.

Megjithatë, Scaloni premtoi se skuadra do të vazhdojë të luftojë: “Nuk arritëm ta fitojmë. Jemi të vetëdijshëm për këtë. Ne luajmë për t’u dhuruar gëzim njerëzve tanë dhe pikërisht për këtë arsye dhemb. Por do të vazhdojmë të luftojmë”, deklaroi trajneri i Argjentinës.

Scaloni zbriti nga makina e tij për të falënderuar tifozët për mbështetjen dhe në një intervistë për TyC Sports foli për momentin e vështirë pas humbjes në finalen e Botërorit.

“Këto ditë janë të dhimbshme dhe të vështira. Jemi të kënaqur që kemi dhënë gjithçka nga vetja. Ndonjëherë fiton dhe ndonjëherë jo. Duhet ta pranojmë që Spanja luajti më mirë. Kjo na bën më të mirë”, tha Scaloni duke komentuar rezultatin e finales.

Më tej, trajneri argjentinas shtoi: “Ndjesia është gjithmonë e njëjtë: luftojmë deri në fund edhe kur gjërat nuk shkojnë në favorin tonë. Si argjentinas duhet të kuptojmë se kundërshtari luan dhe mund të jetë superior, por pavarësisht kësaj, ne ia vështirësuam shumë punën”.

Për Scalonin, edhe pse Argjentina nuk arriti të ngrinte trofeun, ky Botëror solli një tjetër fitore të rëndësishme: bashkimin e popullit.

“Nuk e fituam Kupën, por fituam bashkimin e të gjithëve”, u shpreh trajneri i “Albiceleste”-s.

Ai solli edhe një shembull nga jeta personale: “Gjithmonë jap shembullin e djalit tim 10-vjeçar: humbet një ndeshje, zemërohet dhe pak më vonë i kalon.”

Në fund, Scaloni foli edhe për të ardhmen e tij në stolin e Argjentinës: “Janë gjëra normale për të cilat duhet të mendosh, por gjëja më e rëndësishme është bashkimi që është krijuar. Kjo shkon përtej faktit nëse jam unë apo jo. Deri në dhjetor do të jemi këtu”, garantoi trajneri kampion bote në vitin 2022.