'Fluturimi' i Cubarsí-t drejt së ardhmes, mbrojtësi që mahniti në Botëror

I shpallur lojtari më i mirë i ri i Kupës së Botës, Pau Cubarsí ka justifikuar pritshmëritë e ekspertëve që e kishin cilësuar si përzierjen perfekte mes Carles Puyol dhe Gerard Piqué. Mbrojtësi i Barcelonës është një nga emrat më të përfolur të momentit, ndërsa statistikat e tij në Botëror janë të jashtëzakonshme.

Futbolli gjithmonë ka nevojë për momente të veçanta që duken si të shkruara nga fati. Pau Cubarsí përjetoi një të tillë në stadiumin “MetLife” të Nju Jorkut, në minutat e fundit të finales së Botërorit kundër Argjentinës. Me kundërshtarin në kërkim të golit dhe duke sulmuar me të gjitha forcat, mbrojtësi spanjoll ndërhyri në mënyrë vendimtare duke larguar një top tepër të rrezikshëm pas krosimit të Giuliano Simeones.

Cubarsí arriti të nxirrte me këmbën e majtë një top që kaloi mes shtyllës dhe portierit Unai Simón. Një ndërhyrje që dukej pothuajse e pamundur dhe që ndihmoi Spanjën të siguronte titullin botëror.

Mbrojtësi 19-vjeçar e meritonte atë moment, pas një paraqitjeje fantastike në finale: 96% saktësi në 121 pasime, 21 prej tyre që thyenin linjat e mbrojtjes kundërshtare, si dhe gjashtë largime topash. Por mbi të gjitha, ai zhvilloi një Botëror të jashtëzakonshëm, të mbështetur edhe nga statistika mbresëlënëse.

Në fazën me eliminim direkt, aty ku matet vërtet niveli i lojtarëve, Cubarsí ishte qendërmbrojtësi i dytë me më shumë rikuperime të shpejta të topit (21), vetëm pas veteranit Aymeric Laporte (27). Ai ishte gjithashtu mbrojtësi me më shumë dalje me topin në këmbë (60), duke lënë pas Lisandro Martínez-in me 51.

Në pesë ndeshjet e eliminimit direkt, ai tentoi dhe kompletoi më shumë pasime se çdo qendërmbrojtës tjetër: 362 pasime të sakta nga 387 tentativa. Në një Botëror ku shumë lojtarë shmangën goditjet nga distanca, Cubarsí provoi dy herë. Një tjetër statistikë domethënëse është se kundërshtarët i shkaktuan atij më shumë faulle (4) sesa ai bëri ndaj tyre (3) në fazën me eliminim direkt. Kundër Francës dhe Argjentinës ai nuk kishte nevojë të kryente asnjë ndërhyrje të parregullt.

Megjithatë, ndikimi i tij nuk u mat vetëm me shifra. Bashkëpunimi me “mësuesin” Laporte në qendër të mbrojtjes spanjolle ishte një nga pikat më të forta të skuadrës.

Botërori ishte kurorëzimi i tij, por ky shpërthim kishte nisur më herët te Barcelona, ku Cubarsí kishte bërë një sezon në rritje të vazhdueshme. Trajneri Hansi Flick e kishte quajtur “Lamine Yamal-in e mbrojtjes”, duke theksuar talentin e jashtëzakonshëm të tij.

Në moshën vetëm 19-vjeçare, Cubarsí ka luajtur tashmë 128 ndeshje me Barcelonën. Në këtë moshë, vetëm Lamine Yamal ka më shumë paraqitje me klubin katalanas. Me kombëtaren spanjolle ai ka zhvilluar 20 ndeshje, duke u kaluar para moshës 20-vjeçare vetëm nga Gavi (26) dhe Yamal (33).

Tani Cubarsí do të shijojë pushimet e merituara. Ato i nevojiten, pasi që nga gushti i kaluar ka luajtur rreth 5 mijë e 200 minuta futboll. Nga 83 lojtarët nën 21 vjeç që morën pjesë në Botëror, ai përfundoi sezonin me më shumë minuta të luajtura.

Jeta e tij pritet të ndryshojë shumë. “Ndoshta nuk jam shumë mediatik, por po hyj në atë botë”, kishte thënë Cubarsí në një intervistë për “AS” para gjysmëfinales. Megjithatë, i rritur në një familje punëtore dhe me një karakter të ekuilibruar, nuk pritet që fama ta ndryshojë.

Lavdërimet, sponsorët dhe interesimi i madh do të shtohen, por Cubarsí duket i destinuar të bëhet një nga qendërmbrojtësit më të mëdhenj të brezit të tij. Nëse ndjek rrugën e idhullit të tij Carles Puyol, e ardhmja duket se i përket atij.