Gjithçka gati për rinovimin e Modric-it, pritet vetëm zyrtarizimi nga Milani, ja detajet e marrëveshjes

Luka Modriç do të vazhdojë të jetë pjesë e Milanit edhe në sezonin e ardhshëm. Mesfushori kroat ka dhënë miratimin për të qëndruar te kuqezinjtë dhe tashmë pritet vetëm njoftimi zyrtar i klubit për rinovimin e kontratës.

Prej disa ditësh në ambientin e Milanit kishte optimizëm për vazhdimin e bashkëpunimit me 40-vjeçarin, ndërsa vendimtar në këtë proces ka qenë edhe trajneri i ri Ruben Amorim. Tekniku portugez ka insistuar për të mbajtur në skuadër ish-lojtarin e Real Madridit, të cilin e konsideron një element shumë të rëndësishëm për ekipin.

Amorim kishte folur për rëndësinë e Modriçit që në konferencën e tij të prezantimit: “E konsideroj një lojtar themelor. Nuk po them se do të luajë çdo ndeshje, por sidomos në fillim mund të na ndihmojë shumë”.

Kështu, pensionimi nuk do të jetë ende një opsion për Modriçin, i cili do të përfitojë rreth 3.5 milionë euro në sezon, të njëjtën shumë që kishte marrë edhe gjatë sezonit të kaluar. Firma mbi kontratë pritet të hidhet brenda fundit të kësaj jave.

Sipas planit të Milanit, futbollisti i lindur në vitin 1985 do të formojë dyshen e mesfushës me Adrien Rabiot, i cili gjithashtu pritet të qëndrojë në “San Siro”. Ndërkohë, reparti i mesfushës pritet të pësojë ndryshime, me largimet e mundshme të Ruben Loftus-Cheek, Youssouf Fofana dhe, me shumë gjasa, edhe ish-lojtarit të Torinos, Samuele Ricci.

Megjithatë, Milani po mendon edhe për përforcime. Në ditët e fundit është rritur interesimi për mesfushorin danez Pierre-Emile Højbjerg, i cili ka kontratë me klubin e tij deri në vitin 2028 dhe shihet si një alternativë për të rritur cilësinë e repartit.