Napoli merr dritën jeshile për projektin e rinovimit të stadiumit ‘Maradona’
Një hap i rëndësishëm është hedhur për kandidaturën e Napolit si një nga qytetet pritëse të Kampionatit Evropian të vitit 2032. Projekti për modernizimin e stadiumit “Diego Armando Maradona” ka marrë miratimin zyrtar pas përfundimit me sukses të Konferencës së Shërbimeve, që shqyrtoi Projektin e Fizibilitetit Teknik dhe Ekonomik (PFTE) për ndërhyrjet në impiant.
Vendimi i marrë nga autoritetet përkatëse i hap rrugën zyrtarisht planit të rinovimit, pasi të gjitha shërbimet komunale dhe institucionet e përfshira kanë dhënë vlerësimin pozitiv në aspektet urbanistike, mjedisore, të sigurisë dhe të menaxhimit të lëvizshmërisë rreth stadiumit.
Ky miratim i lejon Bashkisë së Napolit të respektojë afatet e përcaktuara në nivel ndërkombëtar për kandidaturën e qytetit si një nga pesë qendrat italiane që do të organizojnë Euro 2032, së bashku me Turqinë.
Projekti i rikualifikimit të stadiumit “Maradona” është pjesë e një procesi të gjatë institucional, i nisur me dorëzimin e Masterplanit të rinovimit në prill të vitit 2025 nga Departamenti i Infrastrukturës dhe Mobilitetit. Më pas, plani u plotësua me vendimet e Këshillit Bashkiak për riorganizimin e katit të tretë të stadiumit dhe përmirësimin e eficiencës energjitike të impiantit.
Ndërhyrjet synojnë ta transformojnë “Maradonën” në një stadium modern, në përputhje me standardet e kërkuara nga UEFA për një kompeticion madhor si Kampionati Evropian. Napoli shpreson që ky investim të forcojë kandidaturën e tij dhe ta rikthejë qytetin në qendër të një eventi të madh ndërkombëtar futbolli.