VIDEO/ Tela: Protesta duhet t'i drejtohet edhe SPAK-ut, korrupsioni i përditshëm po lihet i paprekur
Gazetari Andi Tela, i ftuar në emisionin 'Task Force' me Sonila Meçon në SYRI TV, u shpreh se ka ardhur momenti që protestat qytetare të mos drejtohen vetëm ndaj qeverisë, por edhe ndaj SPAK-ut, pasi sipas tij pritshmëritë për luftën reale kundër korrupsionit nuk janë përmbushur.
Tela tha se ndan të njëjtin qëndrim me analistin Fatos Lubonja, duke argumentuar se faza kur opinioni publik u entuziazmua nga hetimet ndaj politikanëve të nivelit të lartë tashmë ka kaluar.
Sipas gazetarit, lufta kundër korrupsionit nuk mund të kufizohet vetëm te dosjet e zyrtarëve të lartë, por duhet të godasë edhe korrupsionin e përditshëm që qytetarët hasin në administratë.
Tela vlerësoi se fenomeni i korrupsionit të vogël nuk është më problemi kryesor, duke kujtuar se dixhitalizimi i disa shërbimeve ka reduktuar praktika të tilla, por sipas tij korrupsioni në nivelet e administratës publike vazhdon të mbetet i pandëshkuar.
Gazetari theksoi se SPAK ka instrumentet ligjore dhe hetimore për të zhvilluar hetime proaktive dhe për të zbuluar raste korrupsioni në administratë, duke shtuar se vetëm ndëshkimi i rasteve konkrete mund të krijojë efekt parandalues.
‘Po, po, e lexova dhe mendoj realisht si Lubonja. Pra, protesta duhet t'i drejtohet dhe SPAK-ut, sepse ka kaluar ai momenti i dehjes që politikanët e paprekshëm u nënshtruan hetimit nga SPAK dhe po shkojnë në gjykatë. Iku kjo pjesë tani.
Tani ne duam luftën reale ndaj korrupsionit dhe lufta reale ndaj korrupsionit nuk bëhet vetëm ndaj politikanëve të lartë, por bëhet ndaj çdo zyrtari publik që ka në dorë korrupsionin e përditshëm, korrupsionin jetik.
Nuk jemi më te 500-lekëshi i certifikatave që na e ka sjellë me pompozitet të madh qeveria, pra bëri e-Albania-n dhe shmangu këtë radhën e korrupsionit të vogël. Nuk jemi te korrupsioni, po themi, i zyrtarëve, qeveritarëve të lartë.
Jemi te korrupsioni i përditshëm dhe nuk ka ndodhur, pra ka vite, nuk ndodh që të kemi një çështje konkrete nga SPAK-u në një institucion zyrtar, hipoteka, ministra, drejtori, këtu ka pafund, që të zbulojnë në një rast flagrance, një korrupsion që është duke ndodhur.
Ta hetojnë me metodat e veta proaktive, sepse i kanë mundësitë pafund, dhe të tregojnë që, po, ka korrupsion, por ne po e luftojmë korrupsionin. Që kjo luftë ndaj korrupsionit t'i frikësojë ata që bëjnë korrupsion.
Por kur ata e shohin që çdo ditë e më tepër vazhdojnë dhe bëjnë korrupsionin dhe askush nuk i prek, dhe të gjithë merren me Berishën, Ahmetajn, Metën, ata vazhdojnë dhe bëjnë punën siç e kanë bërë më parë.
Dhe ajo rruga tjetër, se vërtet Belindi denoncon faktin që SPAK nuk merret me një nga kompanitë dhe është puna e SPAK-ut për ta marrë, por ai tender që 17 kilometra rrugë, këta i bëjnë me 300 e ca milionë euro që do të shkojë 1 miliard euro në fund të koncesionit.
Nuk ka asnjë urë, as 750 metra tunel. Është e gjitha në fushë për t'u ndërtuar.’, tha ndër të tjera gazetari Andi Tela në SYRI TV.