Ibrahimovic sulmon Paredes-in: Të isha unë në fushë, do t'i kisha dhënë një goditje me kokë
Zlatan Ibrahimovic ka komentuar me tone të ashpra incidentet që shpërthyen pas finales së Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës. Ish-sulmuesi suedez kritikoi hapur sjelljen e Leandro Paredes, duke thënë se mesfushori argjentinas "duhet ta konsiderojë veten me fat".
Duke folur si analist për Fox Sports, Ibrahimovic iu referua përplasjes që ndodhi pas vërshëllimës përfundimtare, kur Paredes u përfshi në incidentin me Gavin dhe Eric Garcian.
"Paredes mund ta konsiderojë veten me fat që nuk isha unë në fushë. Po të isha aty, do t'i kisha dhënë një goditje me kokë dhe do të isha përjashtuar me karton të kuq. Ajo që bëri ishte mungesë profesionalizmi", deklaroi Zlatan.
Megjithatë, kritikat e tij nuk u drejtuan vetëm ndaj argjentinasve. Suedezi u shpreh i habitur edhe me reagimin e futbollistëve spanjollë, të cilët sipas tij nuk mbrojtën shokët e skuadrës.
"Nuk e kuptoj se çfarë bënin lojtarët e Spanjës. Ata thjesht qëndronin dhe shikonin, ndërsa një kundërshtar sulmonte shokun e tyre të ekipit", u shpreh Ibrahimovic.
Sa i përket finales, ish-ylli i Milanit nuk kurseu elozhet për kampionët e rinj të botës.
"Sot fitoi futbolli. Mënyra se si luan Spanja dhe ajo që tregoi gjatë gjithë këtij Botërori është pikërisht futbolli që tifozët duan të shohin", tha këshilltari i lartë i Milanit.
Në fund, Ibrahimovic kujtoi edhe parashikimin e tij para nisjes së turneut.
"Fitoi skuadra që duhej të fitonte. Më kishin pyetur para Botërorit dhe unë thashë se Spanja do të shpallej kampione. Kur them diçka, zakonisht ndodh", përfundoi ai.