SYRI TV/ GJKKO pezullon afatet e paraburgimit për Veliajn, prokurori: Mungesat në gjyq të pajustifikuara
Ka dështuar për të disatën herë seanca në themel për Erion Veliajn, bashkëshorten e tij Ajola Xoxën dhe të pandehurit e tjerë. Edhe në këtë seancë kryebashkiaku nuk u paraqit, gjithashtu as avokati i tij, Plarent Ndreca. Për shkak të mungesave të përsëritura dhe kërkesës së SPAK-ut, me pretendimin se Veliaj po zvarrit gjykimin, togat e zeza morën masa, ku gjobitën avokatin me 50 mijë lekë të reja, pezulluan afatet e paraburgimit për Veliajn dhe i caktuan këtij të fundit avokaten kryesisht, Valentina Teodoreskun. Për SPAK-un dhe Gjykatën, edhe pretendimi i Ajola Xoxës se i pamundësohet ardhja në gjyq për shkak se ka lindur para disa javësh, nuk përbën arsye të ligjshme për pengimin e gjykimit.
Gjyqi për Erion Veliajn, bashkëshorten e tij Ajola Xoxën dhe të pandehurit e tjerë dështoi në mënyrë të përsëritur pranë Gjykatës së Posaçme. SPAK-u kërkoi marrjen e masave pasi mungesa e Veliajt dhe e mbrojtjes, pa arsye të ligjshme, po çon në zvarritjen e procesit. Ols Dado iu përgjigj edhe një shkrese mjekësore për Ajola Xoxën, për të cilën mbrojtja pretendon se, si nga ana ligjore, por edhe shëndetësore, Xoxa nuk mund të marrë pjesë në gjykim pas lindjes, dhe shtoi se ajo kërkon të jetë vetë e pranishme për një mbrojtje efikase.
“Mungesat e avokatëve dhe të pandehurve pamundësojnë seancën. Shkaqet e mungesës së avokatit Plarent Ndreca janë të paligjshme. Të gjobitet, pasi po shërbejnë si arsye për të zvarritur procesin në mënyrë të përsëritur. Të pezullohen afatet e paraburgimit të Erion Veliajt. Shkresa që paraqiti mbrojtja për Ajola Xoxën nuk specifikon gjendjen e të pandehurës. Nuk përbën shkak për mungesë në seancë.”
Togat e zeza, pasi u kthyen nga Dhoma e Këshillimit, relatuan se miratojnë kërkesën e SPAK-ut për të gjobitur me 50 mijë lekë të rinj avokatin Plarent Ndreca, të caktojnë një avokate kryesisht, të pezullojnë afatet e paraburgimit për Veliajn dhe të rrëzojnë kërkesën e Ajola Xoxës për pezullim të gjykimit. Elsa Ulliri tha se Ndreca ka qenë i pranishëm në seancën e fundit dhe nuk pati kundërshtime për datën dhe orarin e seancës së radhës. Argumenti se ndodhet në një proces tjetër gjyqësor nuk e justifikon mosardhjen.
Si masë për të mos penguar procesin, GJKKO-ja tha se ka caktuar avokate kryesisht për Veliajn, Valentina Teodoreskun, e cila do të jetë krah Ndrecës ose zëvendësuese gjatë procesit. Ndërsa për konsultën që paraqiti mbrojtja e Xoxës te mjeku Orion Glozheni, u tha se nuk përbën shkak për mosparaqitjen e saj. Seanca e radhës u shty për më 15 shtator, në orën 10:00.
Pak orë pas këtyre zhvillimeve, nga Gjykata e Lartë u njoftua mospranimi i një tjetër rekursi të Erion Veliajt, i cili ankimoi pezullimin e afateve të paraburgimit, me pretendimin se nuk ka qenë ai shkak për shtyrjet e seancave.
Lidhur me ngjarjet e fundit në GJKKO, pas disa orësh reagoi Plarent Ndreca, i cili tha se kishte vënë në dijeni këtë të martë në mëngjes gjykatën për gjyqin paralel civil që kishte dhe se në seancën e kaluar nuk u lejua të konsultohej për datën, duke pretenduar se togat e zeza e morën vendimin për seancën e radhës njëanshmërisht. Ndreca paralajmëron se do t’i drejtohet edhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë për shkeljet që pretendon, ndërsa shton se edhe Gjykata e Strasburgut do të vihet në lëvizje lidhur me ankesat që do të paraqesë Veliaj mbi pretendimet e tij për hetimin apo gjykimin.