Zjarr në unazën jugore të Elbasanit, dëgjohen shpërthime gjatë ndërhyrjes së zjarrfikësve
Një sipërfaqe toke në unazën jugore të Elbasanit është përfshirë nga flakët pasditen e sotme. Për shkak të intensitetit të lartë të zjarrit, flakët u përhapën me shpejtësi, duke bërë të nevojshme ndërhyrjen e tre mjeteve zjarrfikëse.
Forcat zjarrfikëse punuan për disa minuta me intensitet për izolimin dhe shuarjen e flakëve. Gjatë ndërhyrjes u dëgjuan edhe disa shpërthime fishekësh në zonë, çka solli për disa momente vështirësi dhe rrezik për efektivët që po operonin në terren.
Zjarri dogji një sipërfaqe me pemë frutore pranë një banese, por ndërhyrja në kohë e zjarrfikësve bëri të mundur mbrojtjen e objektit dhe parandalimin e përhapjes së flakëve drejt tij.
Pas ndërhyrjes së ekipeve zjarrfikëse, situata u vu nën kontroll dhe nuk raportohet për persona të lënduar. Në vendngjarje mbërritën edhe efektivët e Policisë së Elbasanit, të cilët kanë nisur hetimet për përcaktimin e shkaqeve të zjarrit.
Nga të dhënat paraprake dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar aksidentalisht.