Milani i Amorim-it: Talenti grek objektiv kryesor, Højbjerg pëlqehet për mesfushën
Milani e ka mirëpritur Ruben Amorimin me bindjen se skuadra ka nevojë për të paktën katër përforcime cilësore, në mënyrë që trajneri portugez të ndërtojë sa më mirë skemën e tij të preferuar 3-4-2-1.
Boshti i ekipit duket se është forcuar falë afrimeve të Mario Gila-s dhe Gonçalo Ramosit, si edhe rinovimit të afërt të kontratës së Luka Modriçit. Megjithatë, prapavija e sulmit mbetet ende një repart që kërkon ndërhyrje, edhe pse drejtuesit kuqezinj duket se kanë identifikuar tashmë objektivin kryesor.
Karetsas, emri i zgjedhur nga Amorim
Amorim kërkon një mesfushor ofensiv me këmbë të majtë, i aftë të luajë në krahun e djathtë të prapavijës së sulmit dhe të futet në qendër me këmbën e tij më të fortë. Këto karakteristika i plotëson Konstantinos Karetsas, talent grek i lindur në vitin 2007, që aktivizohet te Genku.
Sezonin e kaluar ai regjistroi 16 asiste dhe 2 gola në kampionatin belg dhe në Europa League, duke tërhequr vëmendjen e disa klubeve të mëdha evropiane.
Milani e ndjek prej ditësh, por çmimi i kartonit mes 35 dhe 40 milionë eurove e bën të vështirë një ofensivë të menjëhershme. Për të avancuar negociatat, kuqezinjtë duhet fillimisht të realizojnë disa shitje ose të kenë garanci se largimet janë në fazë të avancuar.
Konkurrenca është gjithashtu e fortë. Borussia Dortmund ka shfaqur interes serioz për Karetsasin dhe, pas 22 milionë eurove të përfituara nga shitja e Karim Adeyemi-t, ka më shumë mundësi financiare për ta mbyllur marrëveshjen.
Højbjerg alternativa për mesfushën
Përveç përforcimit në repartin ofensiv, Amorim dëshiron edhe një mesfushor të ri. Aktualisht, emri më i pëlqyer është ai i Pierre-Emile Højbjerg.
Mesfushori danez i lindur në vitin 1995 pritet të largohet nga Marseille dhe paga e tij, rreth 3 milionë euro në sezon, konsiderohet e përballueshme për Milanin.
Trajneri portugez e sheh Højbjerg si profilin ideal për të luajtur përpara mbrojtjes, duke garantuar ekuilibër në fazën mbrojtëse dhe cilësi në ndërtimin e lojës.