Konflikti SHBA-Iran, 4 të vrarë dhe afro 100 ushtarë të plagosur amerikanë
Përshkallëzimi i konfliktit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ka shkaktuar viktima dhe të plagosur edhe në radhët e ushtrisë amerikane. Deri tani janë konfirmuar 4 ushtarë amerikanë të vrarë. Tre u vranë në një sulm me raketa balistike dhe dronë iranianë në një bazë amerikane në Jordani, dhe një ushtar i katërt humbi jetën në Irakun verior gjatë një shpërthimi të kontrolluar të municioneve të pashpërthyera nga një dron iranian i rrëzuar. Pentagoni ka bërë të ditur ndërkohë se që nga 7 korriku, afro 100 ushtarakë amerikanë kanë pësuar dëmtime të shkallëve të ndryshme gjatë operacioneve ushtarake.
Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, deklaroi se 96% e të lënduarve janë rikthyer në detyrë, ndërsa shumica e dëmtimeve janë tronditje të lehta cerebrale.
“Ndërsa gati 100 anëtarë të shërbimit u konsideruan me një farë shkalle lëndimesh që nga 7 korriku 2026, 96% e tyre janë rikthyer në detyrë. Ata janë të vendosur të rikthehen në luftë. Shumica dërrmuese e lëndimeve të pësuara ishin tronditje të lehta.”
Deklarata erdhi si reagim ndaj një artikulli të gazetës The New York Times, sipas të cilit Pentagoni kishte mbajtur të fshehta dhjetëra raste të ushtarakëve të plagosur gjatë luftës me Iranin.
Edhe CNN raportoi se ushtria amerikane vonoi publikimin e të dhënave për të plagosurit, duke argumentuar se kjo ishte bërë për të mbrojtur personelin ushtarak.
Ndërkohë, Komanda Qendrore e SHBA-së njoftoi se ka përfunduar një tjetër valë sulmesh ajrore ndaj objektivave iraniane. Sipas ushtrisë amerikane, goditjet zgjatën rreth pesë orë dhe kishin në shënjestër qendra komanduese ushtarake, baza të lëshimit të raketave dhe dronëve, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe kapacitete detare.
Pentagoni publikoi pamje të operacionit, ku shfaqen avionë luftarakë gjatë ngritjes dhe goditje precize ndaj objektivave.
Sipas autoriteteve amerikane, kjo ishte nata e dhjetë radhazi e sulmeve ndaj Iranit, me qëllim dobësimin e kapaciteteve iraniane për të sulmuar anijet tregtare që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit.
Ndërkohë, situata në këtë korridor strategjik detar mbetet e tensionuar. Të dhënat e kompanisë Kpler tregojnë se numri i anijeve që kaluan nëpër Ngushticën e Hormuzit ra në vetëm 4 gjatë ditës së hënë, krahasuar me 7 një ditë më parë.
Tensionet u shtuan edhe më tej pasi rebelët Houthi në Jemen, të mbështetur nga Irani, shpallën një bllokadë detare ndaj Arabisë Saudite, një zhvillim që mund të ndikojë në tregjet globale të energjisë dhe në transportin ndërkombëtar të naftës.
Çmimet e naftës ranë të martën, ndërkohë që një zyrtar i lartë iranian i tha Reuters se Teherani kishte marrë një propozim nga ndërmjetësit për një armëpushim 10-ditor në përpjekje për të shpëtuar marrëveshjen e nënshkruar më 17 qershor.
Kontratat e ardhshme të naftës së papërpunuar Brent ranë me 96 cent, ose 1.1%, në 88.26 dollarë për fuçi, ndërsa nafta e papërpunuar amerikane West Texas Intermediate ra me 73 cent, ose 0.9%, në 82.50 dollarë për fuçi.