Summerville drejt Romës, por nga Anglia hedhin hije dyshimi mbi marrëveshjen

E ardhmja e Crysencio Summerville vazhdon të mbetet në qendër të merkatos. Sulmuesi i krahut i West Hamit duket shumë pranë transferimit te Roma, megjithatë nga Anglia vijnë raportime që e lidhin holandezin edhe me klube të tjera të Premier League.

Sipas ekspertit të merkatos, Fabrizio Romano, Roma ka rritur ofertën për 23-vjeçarin në 47 milionë euro si shumë fikse, ndërsa me bonuset ajo mund të arrijë deri në 50 milionë euro. Verdhekuqtë shpresojnë që ky investim i madh të bindë drejtuesit e West Hamit për të dhënë dritën jeshile të transferimit.

Madje, pranë klubit kryeqytetas po qarkullojnë zëra se palët kanë arritur tashmë një marrëveshje dhe se zyrtarizimi mund të jetë vetëm çështje kohe.

Megjithatë, mediat angleze nuk ndajnë të njëjtin optimizëm. Sipas tabloidit ‘The Sun’, Summerville vazhdon të jetë në radarët e disa skuadrave të Premier League. Në garë për shërbimet e tij thuhet se janë futur fuqishëm Manchester United dhe veçanërisht Aston Villa.

Klubi nga Birminghami e sheh holandezin si zëvendësuesin ideal të Morgan Rogers, i cili së fundmi u transferua te Chelsea në një marrëveshje rekord.

Pavarësisht interesimit të klubeve angleze, Roma mbetet favoritja për të siguruar firmën e Summerville, ndërsa orët e ardhshme pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e talentit holandez.