OBP tender 1.2 milionë euro për furnizimin me karburant të institucioneve shtetërore
Operatori i Blerjeve të Përqendruara hapi së fundmi një tender me fond limit rreth 1.19 milionë euro pa TVSH për furnizimin me karburant të disa institucioneve publike, sipas dokumenteve të procedurës. Vlera e përgjithshme e kontratës është 111.7 milionë lekë dhe tenderi është ndarë në dy lote.
Loti i parë, për furnizimin me gazoil 10 ppm, ka fond limit 91.7 milionë lekë, ose rreth 979,700 euro pa TVSH. Në të përfshihen kërkesat e tetë institucioneve, mes tyre Garda e Republikës, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia e Ekzekutimit të Vendimeve Penale dhe Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Tiranë.
Furnizimi do të realizohet kryesisht përmes kartave elektronike në pikat e karburantit të operatorit fitues. Për Degën e Doganës Pogradec, dokumentet parashikojnë edhe furnizim me autobot në magazinën e Doganës së Qafë Thanës.
Loti i dytë ka fond limit rreth 20 milionë lekë, ose afërsisht 213,800 euro pa TVSH. Përfitues janë Garda e Republikës, Drejtoria e Rajonit Jugor Gjirokastër, Qendra e Transferimit të Teknologjive Bujqësore Vlorë, Agjencia e Ekzekutimit të Vendimeve Penale dhe Drejtoria e Përgjithshme e Përmbarimit. Edhe në këtë lot, karburanti do të merret përmes kartave elektronike në rrjetin e stacioneve të kompanisë fituese.
Kontrata do të zbatohet sipas nevojave të institucioneve përfituese dhe kushteve të përcaktuara në dokumentet e tenderit.
Operatori i Blerjeve të Përqendruara po funksionon tashmë prej marsit 2024 si një ent që zhvillon procedurat për llogari të institucioneve të ndryshme që kanë vlerë mbi 1 milionë lekë pa TVSH. Për këto procedura dhe konsulencë OBP merr një sasi të ardhurash si pjesë e shërbimit që jep. Kryesisht tenderët që kalojnë nga OBP janë blerje automjetesh, blerje karburanti, blerje materialesh kancelarie, orendi e pajisje mobilimi, materialet e pastrimit, uniformat dhe elementë e tyre, blejë këpucësh, pjesët e këmbimi por pa kufizim për të tjera. /Monitor/