PS miraton 4.3 mln euro për Kanye West, debate në komisione Parlamentare

Akti normativ i qeverisë për të dhënë 4.3 mln euro para të shqiptarëve për koncertin e Kanye West u miratua me votat e mazhorancës në tre komisione parlamentare, mes debateve me opozitën. Deputetët e Partisë Demokratike ngritën shqetësimin për dhënien e parave të shqiptarëve për një koncert privat, në kushtet kur mungojnë barna dhe pajisje në spitale. Edhe socialisti Erion Braçe votoi kundër, duke thënë se për këtë akt duhet të mbajë përgjegjësi qeveria.

Mazhoranca e Edi Ramës në komisionet parlamentare ka miratuar aktin normativ, që i jep 4.3 mln euro të shqiptarëve, nga fondi i rezervës për koncertin e Kanye West. Debati i madh në opinionin publik, që shkaktoi vendimi i qeverisë, u rikthye në Komisionin e Kulturës dhe të Ligjeve, ku deputetët e opozitës ngritën shqetësimin për financimin e një koncerti privat me paratë e shqiptarëve, ndërkohë që qytetarët vuajnë nga mungesa e ilaçeve dhe përballen me varfëri. Ministri i Kulturës, Blendi Gonxhe, pranoi se paratë e qytetarëve shqiptarë u përdorën pasi koncerti dështoi të marrë sponsorizime dhe të shesë biletat. Kjo, sipas ministrit, ishte nevojë dhe urgjencë për të prekur fondet e taksapaguesve nga fondi rezervë, që përdoren në raste emergjencash.

Madje ministri Gonxhe, i cili paguhet nga paratë e shqiptarëve, arriti deri në fyerje ndaj qytetarëve që po protestojnë prej 52 ditësh, duke i akuzuar se ishin ata që sollën sabotimin e koncertit dhe për këtë arsye shteti u detyrua të ndërhyjë.

Debatet për këtë çështje vijuan edhe në Komisionin e Ligjeve, ku deputetët e opozitës ngritën shqetësimin për shpërdorimin e 4.3 milionë eurove për një koncert privat, në një kohë kur sektorë kryesorë, si shëndetësia, arsimi apo emergjencat, përballen me mungesa të mëdha. Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi paralajmëroi se PD do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese aktin normativ të qeverisë.

Jo vetëm opozita, por edhe socialistët i kanë kërkuar qeverisë të mbajë përgjegjësi për këtë akt. Deputeti socialist Erjon Braçe, në Komisionin e Ekonomisë, deklaroi se nuk mund të mbajë përgjegjësi parlamenti për këtë vendim.

Ministri i Kulturës u mundua të justifikojë përdorimin e parave të taksapaguesve, duke thënë se ky koncert ishte një reklamë për Shqipërinë, ndërsa deputetët demokratë i kujtuan se i vetmi lajm që bëri ky vendim në mediat ndërkombëtare ishte skandali që qeveria e një vendi të varfër si Shqipëria jep për një koncert privat 4.3 mln euro.