Aplikimet në universitete nisin më 27 korrik,6 ditë kohë për zgjedhjen e degëve

Të hënën e 27 korrikut nis zyrtarisht procesi i plotësimit të formularit A2, në portalin U-Albania. Maturantët, kandidatë për studentë plotësojnë formularin si kusht për aplikimin në shkollat e larta brenda vendit. 

Të rinjtë do të shënojnë deri në 10 degë të preferuara për vijuar studimet e larta.

Degët mund të përzgjidhen të ndryshme brenda të njëjtit universitet, si mjekësi, stomatologji, farmaci, infermieri, brenda Universitetit të Mjekësisë.

Mund të zgjidhet vetëm një program studimi si IT në universitete të ndryshme ose mund të alternohen në varësi të preferencave dhe notave të kandidatëve.

Procesi i aplikimit do të jetë i hapur për 6 ditë më radhe.

Përzgjedhja mund të behët nga kudo ku ndodhen, në shtëpi, më pushime apo edhe jashtë vendit.

Drejtues të Rrjetit Akademik  këshillojnë të rinjtë që para se të dërgojnë përfundimisht formularin, të mendohen mirë madje kanë mundësi edhe të bëjnë llogaritje përafërta. Pas mbylljes së aplikimeve  Rrjeti Akademik Shqiptar i dërgon të dhënat universiteteve të cilat do të bëjnë llogaritjet e pikëve për afro 29 mijë kandidatë.

Ky proces do të kryhet pas 20 gushtit, pasi  të jenë mbyllur edhe konkurset për disa programe studimi, si Mjekësia, Arkitektura, Artet dhe sportet. Ndërsa në fund të muajit gusht bëhet shpallja e fituesve në shkollat e larta publike dhe private.