Deklaratat e forta të Eurodeputetit çek, Kalaja: Rama tashmë në lupën e drejtësisë evropiane, vërtetohen denoncimet e PD

Një deklaratë e fortë nga një eurodeputet çek ka tronditur opinionin publik, duke hedhur dritë mbi lëvizjet e dyshimta të kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij. Avokatja e njohur Adriana Kalaja, tha gjatë një interviste në edicionin e mesditës ne Syri tv me moderatoren Eneida Ndoci, se raportimet e fundit tregojnë se ndërkombëtarët kanë filluar të ndryshojnë tërësisht qasjen ndaj kreut të qeverisë shqiptare dhe familjes së tij, duke i vendosur ata në "lupën" e drejtësisë evropiane.

Deklaratat e eurodeputetit vërtetojnë atë që opozita ka denoncuar prej kohësh në lidhje me fenomenin "Follow the money". Sipas informacioneve të bëra publike, dyshohet se udhëtimet e shpeshta me charter të kryeministrit nuk kanë qenë thjesht për vizita zyrtare, por janë përdorur për transportin e parave të pista dhe lëndëve narkotike. Këto akuza marrin një rëndësi të veçantë pasi vijnë nga një përfaqësues i institucionit më të lartë të Bashkimit Evropian, i cili ka theksuar se Edi Rama dhe rrethi i tij familjar janë nën vëzhgim dhe hetim.

Pavarësisht këtyre fakteve tronditëse, institucionet e drejtësisë në Shqipëri, me në krye SPAK-un, gjenden nën breshërinë e kritikave për apati dhe mosveprim ndaj këtyre denoncimeve. Madje, hidhen hije dyshimi se brenda vetë strukturave të drejtësisë ka elementë që po e mbajnë të fshehur të vërtetën. Megjithatë, paralajmërimi i ardhur pas këtij skandali është i qartë: këto dosje nuk do të mbeten të mbyllura përgjithmonë dhe drejtësia herët a vonë do të veprojë me ashpërsi mbi të gjithë ata që janë përfshirë.

Eneida Ndoci: Do të ndalemi pak në këto momente tek hapësira e intervistës ku do të kem në këto çaste zonjën Adriana Kalaja për të folur në lidhje me një çështje shumë të rëndësishme që është bërë publike në emisionin "Kafe Shqeto", flas pikërisht për deklaratat e eurodeputetit çek. Do të flasim pikërisht për fenomenin "Follow the money". Tashmë jemi pikërisht në kushtet e kësaj gjëje. Edi Rama tashmë është në lupë nga ana e Bashkimit Evropian, tashmë kemi një tjetër denoncim i cili nuk mund të kalojë nën hundë, le të themi pa u hetuar dhe pa u parë ashtu siç duhet. Denoncime të shumta keni bërë edhe ju, por në rastin konkret në këtë deklaratë që ka bërë eurodeputeti në emisionin e mëngjesit në Syri Televizion, si e keni parë?

Adriana Kalaja: Në fakt më bëri përshtypje për mirë sepse tashmë u bë një periudhë e gjatë kohe, ku edhe vetë ajo pjesë e eurodeputetëve, e kancelarive ndërkombëtare të Evropës apo të botës, kanë filluar të kenë një qasje totalisht ndryshe ndaj fatkeqësisht kryeministrit të Shqipërisë, por edhe familjes së tij. Dhe nga ana tjetër më pëlqeu si fakt se e thënë nga një europarlamentar, ka përveçse ndikim komplet ndryshe, por vërtetoi katërcipërisht denoncimet që kemi bërë në vijimësi ne si opozitë, si Parti Demokratike, por kryesisht edhe kryetari i partisë, zoti Sali Berisha. Për të mos përmendur në vijimësi apo në detaje se çfarë tha europarlamentari, për të cilin në fakt unë shpreh një konsideratë të jashtëzakonshme, mendoj se ato gjëra janë katërcipërisht të vërteta, janë të bazuara në prova dhe në fakte, sepse ndryshe nuk mundet dot një subjekt i këtij kalibri të dali në një televizion dhe të hedhi akuza të pabazuara.

Por ajo që mua personalisht më bën përshtypje është dhe fakti që përputhen këto akuza me ato në fakt që kemi ngritur në mënyrë vijuese, por që i kemi çuar dhe përpara organeve ligjzbatuese, kryesisht SPAK-ut, që fatkeqësisht nuk ka bërë asgjë. Unë dua në fakt, se ka disa probleme që fatkeqësisht populli shqiptar i anashkalon, populli shqiptar i harron, që është shumë kryesore, dua të risjell në vëmendje një akuzë të fortë që ka bërë zoti Berisha kur ka thënë që ka informacione që me udhëtimin charter që bënte Edi Rama, janë transportuar para, janë transportuar drogë. Pra, vijmë sot në 2026-ën dhe këtë e thotë një përfaqësues i institucionit më të lartë evropian, këtë e thotë një person i cili në fakt thotë që po vëzhgohet, po hetohet Edi Rama dhe familjarë të tij. Pra, ndërkohë që ne si Parti Demokratike na është rrëzuar kërkesa për ngritjen e komisionit hetimor për udhëtimet charter, buxhetit të shtetit në llogaritjet e mia deri në vitin 2022-2023 i kishin kushtuar 23 milionë euro. Pra shqiptarët duhet të bëjnë një llogari shumë të thjeshtë që nuk ka rëndësi se këtë e denoncon zoti Berisha apo një europarlamentar apo Adriana Kalaja.

Rëndësi ka që populli shqiptar duhet të merret me faktin, është e vërtetë apo është e pavërtetë dhe duhet të merret me një logjikë të thjeshtë ekonomike, që ku mund të ishin përdorur 23 milionë euro, çfarë mund të kishim bërë ne për interes publik në shumën 23 milionë euro dhe pa u futur në sektorët e veçantë, çfarë mund të kishim ndryshuar ne në sistemin shëndetësor me 23 milionë euro. Pra kemi një dëm të konsiderueshëm që refuzohet të jepet llogari për një shumë të tillë, por ka akuza konkrete nga zoti Berisha që me charter-in privat janë transportuar drogë dhe para. Nga ana tjetër ju e dini shumë mirë se çfarë ka bërë kjo maxhorancë e implikuar deri në qelizën më të fundit nga krimi, nga korrupsioni, nga mafia, nga paratë e pista, që ka bërë që të gjitha shpenzimet e udhëtimit të kryeministrit bandit të konsiderohen si sekret hetimor. Pra, qartazi ka shumë gjëra për të parë, qartazi ka shumë gjëra të cilat janë fshehur deri më sot, kjo edhe për shkak të apatisë të SPAK-ut. Por unë e siguroj kryeministrin bandit të Shqipërisë, banditët rreth e rrotull e tij që i shërbejnë, por nga ana tjetër dhe banditët që janë brenda strukturës së SPAK-ut, që një ditë këto dosje të gjitha do shikohen me përparësi dhe një ditë drejtësia do vihet në vend…