'Me thes parash në dorë'/ Ish-drejtoresha e Postës së Durrësit në burg, bashkëshorti publikon video dhe hedh akuza ndaj ish-shefes së financës
Gjyqtari Xhevdet Lika ka vendosur të lërë në masën e sigurisë “arrest në burg” ish-drejtoreshën e Postës së Durrësit, Elisabeta Mataj, ndërsa ka caktuar “arrest në shtëpi” për ish-shefen e financës, Valbona Duni, dhe arkëtaren P. Dana. Të treja akuzohen për veprën penale “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, kryer në bashkëpunim.
Sipas hetimeve, ato dyshohen se kanë përvetësuar rreth 69 milionë lekë, fonde të destinuara për pagesën e pensioneve dhe ndihmës ekonomike në degët e Postës në Shijak dhe Krujë.
Ndërkohë, një ditë më parë, bashkëshorti i ish-drejtoreshës, Feta Mataj, ka dhënë deklarime pranë Policisë Gjyqësore, ku ka akuzuar ish-shefen e financës, Valbona Duni, si personin që, sipas tij, ka përfituar nga shuma e vjedhur. Ai pretendon se dyshimet mbështeten edhe në atë që e cilëson si rritje të konsiderueshme të gjendjes ekonomike të Dunës dhe të fëmijëve të saj.
Po ashtu, Feta Mataj ka bërë publike një video të regjistruar nga kamerat e sigurisë së postës, për të cilën pretendon se ka shërbyer si pikënisje e dyshimeve të bashkëshortes së tij. Sipas tij, në pamje, Valbona Duni shfaqet duke ecur në korridorin e postës me një thes në dorë dhe, sapo vëren Elisabeta Matajn, tenton të kthehet mbrapsht.
Pretendimet e bëra nga Feta Mataj nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga organet e hetimit.