Rrahmani vlerëson Allegrin: Ka sjellë te Napoli atmosferë pozitive, ndihemi të lirë të flasim
Amir Rrahmani ka folur për fillimin e një kapitulli të ri te Napoli nën drejtimin e Massimiliano Allegrit, duke vlerësuar menjëherë mënyrën e punës dhe raportin që trajneri italian ka krijuar me skuadrën.
Kapiteni i Kosovës, një nga liderët e mbrojtjes së klubit napolitan, theksoi se Allegri ka sjellë një frymë pozitive në dhomën e zhveshjes dhe ka krijuar një ambient ku lojtarët ndihen të lirë për të shprehur mendimet e tyre.
“Allegri është një person pozitiv. Me të ndihemi të lirë të komunikojmë, të flasim për çdo gjë dhe kjo është shumë e rëndësishme për një ekip”, u shpreh Rrahmani.
Mbrojtësi kosovar beson se eksperienca e madhe e teknikut italian mund të jetë një faktor i rëndësishëm për Napolin, i cili synon të vazhdojë të luftojë për objektivat më të larta.
Rrahmani ka qenë një nga figurat kryesore të skuadrës në vitet e fundit dhe së fundmi ka rinovuar kontratën me Napolin deri në vitin 2029, duke konfirmuar rëndësinë e tij në projektin e ri të klubit.
Pas një periudhe të suksesshme me Antonio Conten, Napoli ka nisur një cikël të ri me Allegrin në stol.
Për Rrahmanin, trajneri italian ka aftësinë për të menaxhuar grupin dhe për të krijuar marrëdhënie të forta me lojtarët.
“Është një trajner me shumë përvojë. Ai di si ta drejtojë grupin dhe të krijojë lidhje me lojtarët. Kjo na ndihmon shumë”, përfundoi kapiteni i Kosovës.