SYRI TV/ Rama kushtëzon pronësinë me paketën e maleve: Ose paketën e maleve ose rrini pezull

Kryeministri Edi Rama ka marrë në mbrojtje paketën e maleve, të cilën protestuesit kërkojnë të shfuqizohet. Rama kushtëzoi pronarët, duke i paralajmëruar që mund të zgjedhin të marrin paketën e maleve ose të rrinë pezull, sa i përket titullit të pronësisë. Kryeministri cilësoi Thethin si një histori suksesi, një vit pasi urdhëroi shembjen e bujtinave.

SYRI TV

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar çdo qytetar që ka një pronë në zonë malore apo kudo tjetër dhe nuk ka arritur ende të marrë certifikatën e pronësisë, që ose të pranojë Paketen e Maleve ose do të mbesë gjithmonë pa dokumente. Në një komunikim në Facebook, Rama pranoi se këta banorë e kanë tokën e tyre të trashëguar dhe s’kanë asnjë konflikt, por në vend të pajisjes së tyre me titull pronësie zgjodhi t’i kushtëzojë me Paketën e Maleve. Paralajmërimin më të fortë Rama e kishte për banorët e veriut.

Si model suksesi, kryeministri Edi Rama solli Thethin, ku vetëm një vit më parë, banorëve që kishin investuar në pronën e tyre u çoi fadromat dhe shkatërroi djersën e atyre banorëve për shumë vite.

Kritikët e këtij ligji, që kërkojnë shfuqizimin, e cilësojnë këtë si një lëvizje ku kryeministri dhe qeveria parashikojnë zaptimin e pronave që janë përdorur prej vitesh nga qytetarët. Sot kjo u konfirmua edhe nga vetë kryeministri Edi Rama, që, siç në bregdet apo zona të tjera, vjedhja e pronave u bë në emër të investimeve që do të zhvilloheshin nga banorët e zonës.