Mbi 220 mijë fanella false të sekuestruara në Britani, autoritetet paralajmërojnë tifozët për rrezikun

Një operacion i madh kundër tregtisë së produkteve sportive të falsifikuara ka çuar në sekuestrimin e më shumë se 220 mijë fanellave dhe artikujve sportivë, me një vlerë që kalon 18 milionë paundë.

Aksioni u zhvillua gjatë periudhës së Kupës së Botës 2026, kur kërkesa për fanella të kombëtareve dhe yjeve më të mëdhenj të futbollit u rrit ndjeshëm.

Autoritetet britanike zbuluan se rrjete kriminale kishin shfrytëzuar interesimin e madh të tifozëve për të shitur produkte të falsifikuara.

Njësia e Policisë për Krimet e Pronësisë Intelektuale (PIPCU) paralajmëroi tifozët se këto produkte nuk plotësojnë standardet e sigurisë dhe mund të përbëjnë rrezik për shëndetin.

Sipas testeve të kryera nga shërbimet zjarrfikëse në Britani, fanellat false janë shumë më të ndezshme se ato origjinale, shkrihen më shpejt në kontakt me flakën dhe mund të përmbajnë materiale ose ngjyra të dëmshme për trupin.

Përveç rrezikut për konsumatorët, autoritetet theksuan se tregtia e produkteve false dëmton klubet, federatat dhe kompanitë zyrtare që prodhojnë fanella sportive.

Fitimet nga kjo veprimtari shpesh përfundojnë në duart e organizatave të krimit të organizuar.

Operacioni britanik është një tjetër goditje ndaj tregut të paligjshëm, i cili përfiton nga ngjarjet e mëdha sportive për të shitur miliona produkte të falsifikuara.