Formula 1 në Belgjikë me plot ‘drama’: aksidenti në bokse, penalizime dhe gafa e Hamiltonit në Instagram

Gara e Formula 1 në Belgjikë nuk solli vetëm emocione në pistë, por edhe shumë episode të veçanta jashtë saj. Fundjava në Spa u shoqërua me penalizime, momente tensioni në bokse, gabime në rrjetet sociale dhe batuta mes pilotëve.

Një nga temat më të diskutuara ishte "lumi" i penalizimeve. Lando Norris dhe Lance Stroll morën nga 10 pozicione dënim në nisje, Fernando Alonso u penalizua me 20 vende, ndërsa Isak Hadxhar me 30. Edhe Esteban Okon u gjobit me 5000 euro për vonesën në konferencën për shtyp, ndërsa Ferrari mori një gjobë prej 10 mijë eurosh për problemet me menaxhimin e gomave.

Një episod kurioz përfshiu Luis Hamiltonin. Piloti britanik, i cili ndjek shumë pak profile në Instagram, u bë papritur ndjekës i Racing Bulls. Ekipi publikoi momentin duke shkruar me humor: "Të gjithë janë tifozët tanë", por pak më vonë Hamilton e hoqi ndjekjen, duke zbuluar se ishte thjesht një gabim.

Moment tensioni pati edhe në bokse, ku Hamilton u nis pas një pit-stopi dhe goditi një mekanik të Ferrarit. Fatmirësisht, ai nuk pësoi dëmtime serioze, ndërsa Ferrari u gjobit me 30 mijë euro për dalje të pasigurt nga bokset.

Në konferencën për shtyp, Kimi Antonelli dhuroi edhe një moment argëtues, duke zgjedhur Charles Leclerc si personin më të famshëm në Itali, ndërsa piloti i Mercedesit vlerësoi me notën 8.5 paraqitjen e tij në pjesën e parë të sezonit.

Ndërkohë, Botërori i futbollit ishte gjithashtu pjesë e bisedave në paddock. Fernando Alonso donte të kthehej shpejt në shtëpi për të parë finalen Spanjë-Argjentinë, Carlos Sainz u shfaq me fanellën e Spanjës, ndërsa Franco Colapinto mbështeti Argjentinën. Leclerc zgjodhi të qëndronte neutral: "Jam nga Monako, kështu që Forca Monako".