Dy spanjollë zbresin në Aeroportin e Romës me 12 shufra ari në bagazh, vlera i kalon 8 mln euro

Nga Alba Kepi

Guardia di Finanza e Romës, në bashkëpunim me zyrtarët e Agjencisë së Doganave dhe Monopoleve (ADM), ka sekuestruar 12 shufra ari të pastër në aeroportin “Leonardo da Vinci” në Fiumicino, me një vlerë totale të përllogaritur mbi 8 milionë euro.

Sipas informacioneve të siguruara ekskluzivisht nga Syri TV, ari transportohej nga dy shtetas spanjollë, të cilët kishin mbërritur në Itali nga Spanja.

Kontrolli u krye gjatë verifikimeve rutinë ndaj pasagjerëve në mbërritje. Efektivët e Guardia di Finanza dhe punonjësit e ADM-së gjetën në bagazhet e dy udhëtarëve 12 shufra ari të pastër, me peshë totale mbi 62 kilogramë.

Nga verifikimet rezultoi se shufrat e arit ishin futur në territorin italian pa dokumentacionin e detyrueshëm doganor.

Sipas legjislacionit italian, i përshtatur me rregullat e Bashkimit Evropian, ari për investim dhe ari me pastërti të lartë konsiderohen pasuri që duhet të deklarohen gjatë kalimit të kufijve. Mosdeklarimi i vlerave mbi pragun ligjor prej 10 mijë eurosh sjell masa administrative dhe sekuestrim në përputhje me ligjin.

Në këtë rast, autoritetet italiane vendosën sekuestrimin administrativ të arit në vlerën mbi 2.2 milionë euro, si garanci për sanksionin financiar të parashikuar.

Operacioni është pjesë e kontrolleve të Guardia di Finanza për mbikëqyrjen e qarkullimit ndërkufitar të pasurive me vlerë të lartë, me qëllim garantimin e transparencës financiare dhe parandalimin e transferimit të kapitaleve jashtë kanaleve të ligjshme.