Bardhi: Shqipëria meriton një qeveri që i përmbush angazhimet ndaj NATO-s me përgjegjësi

Ndërsa qeveria e kryeministrit Rama me paaftësinë dhe mungesën e vizionit të saj e çoi Shqipërinë deri në pikën që të rrezikonte organizimin e Samitit të NATO-s, për shkak të mosrespektimit të angazhimeve për shpenzimet në mbrojtje, nxiton të ndërmarrë hapa për të korrigjuar situatën.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi thotë se marrëveshja prej rreth 300 milionë eurosh me Shtetet e Bashkuara për blerjen e pajisjeve ushtarake, është reagimi i vonuar i një qeverie që nuk përmbushi detyrimet ndaj NATO-s dhe lejoi që Shqipëria të vihej në pikëpyetje si vend organizator i Samitit.

Ndërsa thekson se investime të tilla janë të nevojshme për Forcat e Armatosura, siguria kombëtare nuk ndërtohet me propagandë dhe as me reagime të vonuara nën presion, thekson Bardhi.

Ndërkohë marrëveshja ende nuk është bërë publike.

Deklaratë e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi

Paaftësia dhe mungesa e vizionit të qeverisë e çuan Shqipërinë deri në pikën që të rrezikonte organizimin e Samitit të NATO-s, sepse nuk kishte përmbushur angazhimet për shpenzimet e mbrojtjes. Më pak se 2%, ndërkohë që Edi Rama mburrej publikisht me të kundërtën.

Vetëm pasi aleatët ngritën shqetësimin dhe mediat ndërkombëtare zbuluan të vërtetën, qeveria po përpiqet të korrigjojë me nxitim atë që duhej ta kishte planifikuar prej kohësh, për të kufizuar dëmin që i shkaktoi besueshmërisë së Shqipërisë në Aleancë.

Në këtë kontekst duhet parë edhe marrëveshja prej rreth 300 milionë eurosh me Shtetet e Bashkuara për blerjen e pajisjeve ushtarake, e cila ende nuk është bërë publike. Marrëveshja është e mirëpritur, sepse Shqipërisë i duhen investime të tilla. Por ajo nuk është fryt i një strategjie afatgjatë. Është reagimi i vonuar i një qeverie që nuk përmbushi detyrimet ndaj NATO-s dhe lejoi që Shqipëria të vihej në pikëpyetje si vend organizator i Samitit.

Siguria kombëtare nuk ndërtohet me propagandë dhe as me reagime të vonuara nën presion. Shqipëria meriton një qeveri që i përmbush angazhimet ndaj NATO-s me përgjegjësi dhe nuk e ekspozon vendin si një aleat jo serioz dhe jo të besueshëm.