‘Rama i transporton paratë jashtë me familjarët e tij’/ Berisha: Mediat po heshtin për ‘bombën’ e eurodeputetit

“Rama i transporton paratë jashtë me familjarët e tij”, kështu deklaroi Gjatë konferencës për shtyp kreu demokrat. Sipas tij, “mediat po heshtin për deklaratën ‘bombë’ të eurodeputetit”.

Berisha: Dhe ndonëse kanë kaluar 24 orë, Edi Rama nuk ka hapur gojën.

Ka heshtur si fija e barit për intervistën e dhënë gazetarit të mirënjohur Flavio Qarri në emisionin e tij të mëngjesit europarlamentari Tomas Zdeçovski.

Nuk ka reaguar asnjë pjesëtar i familjes së Edi Ramës.

Lajmin ua kanë fshehur qytetarëve shqiptarë të gjitha mediat e kontrolluara nga Edi Rama.

Imagjinoni ju se çfarë censure, çfarë kontrolli të rreptë ka Edi Rama mbi mediat, të cilat censurojnë akuzën publike të një europarlamentari të njohur, i cili deklaron haptas se ai përdor familjen e tij për të çuar para jashtë shteti.

U shtroj këto pyetje.

Së pari, Edi Ramës i them se nuk mundet me heshtjen tënde të kapërcesh këtë aktakuzë të rëndë, kurrsesi. Përkundrazi me heshtjen e bën edhe shumë më të besueshme.

Kjo heshtja 24 orë nga një lajm i tillë, i cili në të gjithë mediat e mëdha të botës do të përbënte një bombë të vërtetë, hesht si fija e barit.

Heshtja turpëron çdo media, çdo kompani mediesh, të cilat censurojnë në një akt jo miqësor ndaj qytetarëve, por në një akt censure armiqësore ndaj tyre, lajmin se Edi Rama me familjarët e tij transporton para jashtë shtetit.

A është kjo akuzë një rrufe në qiell të hapur?

Jo!

Kjo akuzë nuk është një rrufe në qiell të hapur.

Kjo akuzë vjen pas një seriali akuzash të bëra nga PD dhe personalisht unë, gjatë 3 viteve të fundit.