Meloni dënon dhunën në Bolonjë: “Ajo që ndodhi është e papranueshme”

Nga Alba Kepi

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka reaguar pas përplasjeve të dhunshme që ndodhën në Bolonjë gjatë protestave të organizuara pas vdekjes së emigrantit maroken Abderrahim Fakir.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, Meloni e cilësoi situatën si të papranueshme, duke theksuar se rrethanat e vdekjes së Fakir duhet të hetohen me seriozitet maksimal.

“Për vdekjen e Abderrahim Fakir është e domosdoshme që të verifikohen çdo përgjegjësi e mundshme me rigorozitetin më të madh. E vërteta duhet të kërkohet deri në fund, pa paragjykime dhe pa privilegje për askënd”, u shpreh ajo.

Megjithatë, kryeministrja italiane thekson se asnjë ngjarje nuk mund të përdoret si justifikim për sulme ndaj forcave të rendit dhe për akte dhune.

Sipas saj, "ata që shfrytëzuan këtë rast si pretekst për të vënë qytetin në flakë, për të sulmuar efektivët e policisë dhe për të përhapur dhunë, duke rrezikuar edhe jetën e qytetarëve të pafajshëm, nuk ishin në kërkim të së vërtetës, por të përplasjes.”

Meloni shprehu gjithashtu shqetësimin për klimën e urrejtjes ndaj forcave të sigurisë, duke e cilësuar si një akt të rëndë papërgjegjshmërie.

“Të ushqesh një klimë urrejtjeje dhe delegjitimimi ndaj një institucioni të tërë shtetëror është një akt i rëndë papërgjegjshmërie. Të kthesh në objektiv mijëra gra dhe burra me uniformë do të thotë të godasësh ata që çdo ditë i shërbejnë Italisë me profesionalizëm, sakrificë dhe guxim”, shkruan kryeministrja italiane.