Gjykata pezullon afatet e paraburgimit për Veliajn - Prokurori: Mungesat në gjyq të pajustifikuara, gjobitet Ndreca
Seanca e radhës në Gjykatën e Posaçme ndaj Erion Veliajt është shoqëruar me diskutime për mungesën e disa prej të pandehurve dhe avokatëve mbrojtës.
Në qendër të debatit ishte mungesa e Ajola Xoxës, për të cilën mbrojtja paraqiti dokumentacion mjekësor, si dhe mungesa e disa përfaqësuesve ligjorë.
Avokati i Ajola Xoxës, Gurali Braimllari, kërkoi që gjykata të marrë në konsideratë raportin mjekësor të dorëzuar në seancën e kaluar. Sipas mbrojtjes, gjendja shëndetësore e saj vijon të mos e lejojë pjesëmarrjen në proces dhe zhvillimin e një mbrojtjeje efektive.Nga ana tjetër, përfaqësuesi i akuzës, Ols Dado, kundërshtoi justifikimet e paraqitura për mungesat. Sipas tij, mungesa e avokatëve dhe të pandehurve po pengon zhvillimin normal të seancës, ndërsa dokumentacioni i dorëzuar për Ajola Xoxën nuk jep të dhëna të plota mbi gjendjen e saj dhe nuk përbën arsye të mjaftueshme për mungesë.
Prokuroria kërkoi që për avokatin Plarent Ndreca të merren masa për mungesën e tij, duke e cilësuar të pajustifikuar. Gjithashtu u kërkua edhe pezullimi i afateve të paraburgimit për Erion Veliajn.Gjykata gjobiti Plarent Ndrecën me 50 mijë lekë. “Ka patur dijeni pasi ishte i pranishëm në seancën e fundit dhe kur është caktuar data dhe ora nuk ka patur ndonjë pretendim për orarin”.
Gjykata krahas avokatit të pandehurit cakton avokaten kryesisht Valentina Teodoresku
Pas paraqitjes së qëndrimeve nga të dyja palët, Gjykata e Posaçme u tërhoq në dhomën e këshillimit për të marrë vendim mbi kërkesat e bëra gjatë seancës.
Gjykata i pezulloi afatet e paraburgimit Erion Veliajt.
Ndërkohë që seanca e ardhshme u caktua më 15 shtator ora 10.