U gjet i pajetë në makinën e shkrumbuar, familjari: Të vetmin problem që kishte, nuk i legalizonin banesën
Një ngjarje e rëndë është regjistruar mëngjesin e kësaj të marte në Korçë, ku një 66-vjeçar është gjetur pa shenja jete brenda një automjeti që u përfshi nga zjarri.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 10 të qytetit, rreth orës 08:40, kur një automjet tip “Benz” është përfshirë nga flakët.
Pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe zjarrfikësit, të cilët kanë ndërhyrë për shuarjen e zjarrit.Brenda automjetit, në sediljen e parë të pasagjerit, është gjetur trupi i pajetë i Irakli Çinokut, rreth 66 vjeç.
Nga hetimet paraprake dyshohet se viktima mund të ketë humbur jetën si pasojë e vetëdjegies brenda automjetit, por kjo pistë ende nuk është konfirmuar dhe rrethanat e plota të ngjarjes mbeten për t’u zbardhur.Njëri nga komshinjtë e viktimës ka deklaroi për Syri tv.
"Jemi komshinj. Njeri më të rregullt nuk bën nëna. Ndonjë konflikt nuk di të ketë ai. Në shtëpi shumë i rregullt, ja shikoje, me gjithë këtë pasuri. Konflikte s'ka. Jetonte me gruan, me Vjollcën. Në brendësi të familjes nuk jam. Ishte pensionist, kishte dy djem, një në Angli dhe tjetrin doktor në Greqi."
Ndërkohë jashtë kamerave, një familjar i viktimës shprehet për Syri tv, se të vetmin problem që ka patur është fakti që s’po i legalizohej banesa. Sipas tij, ai i kishte të gjitha me dokumente por për një dritare nuk ja legalizonin. Më herët ka qenë emigrant në Greqi. Ka qenë njeri i rregullt dhe i qetë, aspak agresiv.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka nisur ekzaminimet në vendngjarje për të përcaktuar shkaqet e zjarrit dhe dinamikën e ngjarjes. Policia vijon mbledhjen e provave dhe pritet të japë detaje të tjera pas përfundimit të veprimeve hetimore.