Rama vazhdon tradhtinë me Paketën e Maleve dhe sulmon protestuesit: Nuk do të ndalemi

Edi Rama synon ta ‘transferojë’ masakrën që ka realizuar në bregdet drejt maleve.

Pavarësisht protestave masive, ku kërkohet anulimi i Paketës së Maleve, Edi Rama tha se kjo gjë nuk do të ndodhë. Paketa e Maleve është cilësuar si një akt tradhtie ndaj vendit. Por në një video online, Rama sulmoi protestuesit duke thënë se ata e gjykojnë këtë ligj nga kafeneja.

“Përshëndetje të gjithëve për në Theth, për Paketën e Maleve. Çfarë kanë me Paketën e Maleve? A e dinë vallë se çfarë ka ligji?  I kanë kuptuar arsyet se pse lindi Paketa e Maleve?! E thashë në mënyrë të drejtpërdrejtë, doja të ndaja disa informacione. Nuk e di sa janë të informuar ata që malet i shohin nga qyteti, politikën e gjykojnë nga kafeneja. Në Shqipëri ka disa territore, në mënyrë të posaçme në veriun e vendit, ku banorët, komunitetet nuk e kanë njohur, pranuar ligjin e ndarjes së tokës. Për këtë arsye, ata kanë ndarë tokën mes veti.

Malet po hapen për ata që në male kanë trashëguar një pronë. Këtu jemi në kushtet kur njerëz që kanë një pemëtore që e mirëmbajnë dhe për të cilën kanë pamundësi që të kenë letrat, mund të pajisen me një leje për të bërë një agro-përpunim. Në kushtet ku mijëra emigrantë kanë shprehur interes sepse duan të investojmë.

Paketa e Maleve është një politikë për njerëzit, për të drejtën e pronës, që i shkon për shtat atyre që për shumë vite nuk kanë mundur të kthejnë pronën e tyre në një aset. Ata mezi e presin, kjo është rezultat i shumë bisedave, i shumë përpjekjeve, nuk është diçka që lindi sa hap e mbyll sytë. Shitet në tregun e fjalëve si një tjetër akt tradhtie. Unë tradhtar? Një temë tjetër kjo”, tha Rama.

“Nuk kthehet më përmbys ky sistem, edhe pse duan ta kthejnë disa korba. Për çfarë kam reflektuar personalisht nga pasqyra e bulevardit të flamingove është temë tjetër dhe do ta ndaj me të gjithë në ditët në vijim. Por ai bulevard është për mua qartësisht i ndarë. Historia e flamingove është historia e Shqipërisë së re, ndërsa historia e sorrave nuk ka lidhje me të ardhmen, është vetëm e shkuara që vjen në forma shumë të rrezikshme dhe shqetësuese, po të shohim historinë.

Ekstremet e majta e të djathta që vijnë për të sjellë përmes delirantësh, injorantësh dhe dështakë-zemërakësh, më të keqen. Sorrat e korbat shajnë e ofendojnë dhe ju duket se po ndryshojnë botën, asgjë nuk ndryshojnë ata”, deklaroi ai.

Kujtojmë se prej 52 ditësh Tirana dhe jo vetëm është përfshirë nga protesta masive, ku kërkohet dorëheqja e Edi Ramës dhe anulimi i disa ligjeve, mes tyre Paketa e Maleve.

Ndërkohë ekziston frika se Paketa e Maleve do të shtojë konfliktet për pronat, pasi ‘investitorët strategjikë’ të Ramës do u turren zonave më të bukura të vendit.