Dyshohet se mbante pengje izraelite në Gaza, IDF vret komandantin e lartë të Hamasit
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) dhe agjencia e sigurisë Shin Bet njoftuan se kanë vrarë një komandant të lartë të Hamasit, i cili dyshohet se kishte mbajtur pengje izraelite në Gaza.
Sipas një deklarate të përbashkët të publikuar të martën, forcat izraelite vranë Adam Ibrahim Shaaban Nasman, kreun e operacioneve të Brigadës së Hamasit në Gaza, gjatë fundjavës.
Nasman shërbente si komandant i Batalionit Nuhba dhe, sipas autoriteteve izraelite, kishte udhëhequr operacionin e militantëve të Hamasit në territorin izraelit gjatë sulmit të 7 tetorit.
Izraeli pretendon gjithashtu se Nasman kishte mbajtur disa prej pengjeve të marra gjatë sulmit, mes tyre Romy Gonen, Emily Damari, Ziv dhe Gali Berman, Eitan Mor, Matan Angrest dhe Omri Miran.
Ish-pengu Zvi Berman reagoi në rrjetet sociale pas njoftimit për vdekjen e Nasman, duke shprehur mbështetje për operacionin izraelit dhe duke falënderuar forcat që morën pjesë në të.
“Një copë tjetër mbeturinash është dërguar në deponinë gjigante të mbeturinave të Hamasit në ferr ”, tha ai.
Sipas IDF dhe Shin Bet, Nasman kishte mbajtur disa poste të rëndësishme brenda Hamasit, përfshirë rolin e oficerit të inteligjencës për Brigadën e Qytetit të Gazës dhe komandantit të Batalionit Al-Shati.
Autoritetet izraelite deklaruan se ai kishte punuar së fundmi për trajnimin e militantëve të Hamasit dhe për forcimin e kapaciteteve ushtarake të grupit, përfshirë prodhimin dhe shpërndarjen e armëve.
“Forcat e Mbrojtjes së Izraelit dhe Shin Bet do të vazhdojnë të veprojnë kundër kërcënimeve dhe të ruajnë sigurinë e qytetarëve izraelitë”, thuhej në deklaratë, ku shtohej se trupat izraelite do të vijojnë të qëndrojnë në Gaza.