Greqi/ Një grua u gjet e pajetë në një valixhe, autopsia ngre më shumë pikëpyetje

Vazhdon të mbetet i pazgjidhur rasti i trupit të një gruaje të re, i cili u gjet brenda një valixheje në zonën e Kypselit, në Athinë. Gjetjet paraprake të autopsisë nuk kanë zbuluar shkaqet e sakta të vdekjes, ndërsa autoritetet presin rezultatet e analizave toksikologjike dhe histologjike për të hedhur më shumë dritë mbi ngjarjen.

Sipas ekzaminimit mjeko-ligjor, në trup nuk janë konstatuar plagë nga armë zjarri apo thikë, duke përjashtuar fillimisht këto shkaqe të vdekjes. Hetuesit dyshojnë se gruaja ka ndërruar jetë rreth pesë ditë para se trupi të zbulohej, por dekompozimi i avancuar ka vështirësuar përcaktimin e mekanizmit të vdekjes.

Trupi u gjet nga një person i pastrehë, i cili njoftoi policinë. Pas sinjalizimit, autoritetet nisën menjëherë hetimet, duke mbledhur prova dhe duke analizuar pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar personin që transportoi valixhen në vendin ku u gjet.

Sipas autopsisë, viktima ishte rreth 30-35 vjeç, 1.61 metra e gjatë, mbante këpucë me numër 36 dhe kishte konsumuar ushqim rreth një orë para vdekjes. Kontrolli i gjurmëve të gishtërinjve nuk çoi në identifikimin e saj në bazat e të dhënave të policisë, çka tregon se nuk kishte precedentë penalë.

Ndërkohë, autoritetet greke po shqyrtojnë rastet e fundit të grave të raportuara të zhdukura, ndërsa rezultatet e analizave laboratorike pritet të jenë vendimtare për zbardhjen e plotë të ngjarjes.