'Fermerët po lihen në mëshirë të fatit'/ Vuksani: Shqipëria po ushqehet me importe, jo me prodhim vendas

Drejtuesi i Departamentit të Bujqësisë në Partinë Demokratike, Gjok Vuksani, deklaroi në emisionin 'Kafe Shqeto' në Syri TV se bujqësia shqiptare ndodhet në rënie, duke theksuar se sektori ka shënuar rritje negative për pesë vite me radhë.

Sipas tij, prodhimi vendas po tkurret dhe po zëvendësohet nga importet, ndërsa edhe blegtoria është goditur nga përgjysmimi i numrit të bagëtive dhe ulja e prodhimit të qumështit.

Vuksani akuzoi qeverinë se po favorizon importet në dëm të fermerëve shqiptarë dhe se politikat e ndjekura nuk mbështesin zhvillimin e bujqësisë vendase.

Vuksani:

Situata është shumë e zymtë. Për të folur me shifra konkrete, bujqësia shqiptare ka pesë vitet e fundit që është me rritje negative. Pra, dy vitet e fundit, 2024-2025, janë afërsisht minus 2% të peshës që zë bujqësia në PBB (GDP).  Minus 2% nga zhvillimi i sektorit. Bëhet diskutimi pra 2% më pak në 2025 nëse 2024, 2% më pak në 2024 nëse 2023, dhe pra ka 5 vite që bujqësia shqiptare është me rritje negative. Të gjitha teoritë e tjera, të gjithë diskutimet e tjera janë boshe sepse rezultati është ky. Ky është momenti i parë në makro. Për t'i parë në mikro tek ajo kronika juaj shumë e zgjuar, është: nuk kemi prodhim bujqësor shqiptar, është reduktuar prodhimi bujqësor shqiptar.

Pra, ne po shkojmë drejt një tendence të reduktimit të prodhimit bujqësor "Made in Albania" dhe rritjes së eksporteve. Disa shifra prapë, se ndonjëherë duket sikur janë vetëm fjalë boshe dhe propaganda e qeverisë është gjithmonë më e fuqishme dhe më e madhe. Vetëm në muajt e parë të vitit 2026 kemi një rritje te perimet, frutat dhe zarzavatet që shkon diku nga 15% deri në 19% të importit të këtyre...Të importit, jo të ardhurave tona. Pra, si të thuash, për të ardhur te qumështi, ju i thatë shifrat shumë mirë. Kemi një reduktim me 50% të numrit të bagëtive në 10-12 vitet e fundit.

Të lopëve, të qumështit, të deleve dhe dhisë. Si pasojë nuk ka asnjë lloj logjike që të thuhet "është përgjysmuar numri i bagëtive, por është rritur prodhimi i qumështit". Për të shkuar më tej, për shembull, meqë jemi përsëri te qumështi, kemi prodhimtari shumë të reduktuar të qumështit për një lopë. Mund të shkojë deri në 10 fish më e ulët se sa ajo e Bashkimit Evropian. Kemi probleme shumë të mëdhaja me racionet ushqimore, kemi probleme shumë të mëdhaja me...Po po, u mundova që ta kornizoj që kemi probleme me estabilishmentet e stallave, standartet e tyre e kështu me radhë. Kemi probleme me mirëqenien e kafshëve. Pra, në çdo aspekt që ta kapësh, pa shkuar pastaj te siguria ushqimore që është një problem shumë i madh, në çdo aspekt që ta kapësh bujqësia dhe blegtoria janë në rënie të lirë. Dhe për të thënë batutën e fundit, po me çfarë ushqehemi ne?

Ne ushqehemi me qumësht të ardhur nga Serbia, por kjo është më e mira, por ushqehemi edhe me qumësht pluhur. Nga 2020-a, sipas statistikave të një emisioni investigativ, nga 2020-a deri në 2025-ën, janë importuar 7 milionë kilogramë qumësht pluhur dhe 16 milionë kilogramë vaj palme. Pra, në vend që të ushqehemi me djathë apo gjalpë, një pjesë e madhe e këtij produkti është vaj palme, që në këtë rast nuk duhet të konsiderohet më djathë apo gjalpë, por një produkt i përbërë, sepse kjo është një produkt me origjinë shtazore, kur shtohet një produkt me origjinë bimore ai nuk konsiderohet më djathë apo gjalpë, dhe ushqehemi me qumësht pluhur. Pra, mungesa e prodhimit vendas është zëvendësuar me këto dy elementë që janë shumë të lirë dhe shumë të dëmshëm në fund të fundit.Unë besoj se kjo nuk është një vrasje e qëllimshme dhe nuk dua ta besoj këtë. Është jashtë mendimit tim, jashtë natyrës njerëzore.

Po unë mendoj që qeverisë shqiptare nuk i plas fare për bujqësinë dhe për fermerët. Nuk ka asnjë lloj ndjeshmërie. Në qoftë se i merr me radhë, të gjitha masat që janë marrë edhe në këto dy ligjet e fundit, nuk shkojnë në favor të prodhimit bujqësor shqiptar, por shkojnë në të kundërt. Pra, qeveria është e interesuar që prodhimi të vijë nga importi, që të paguhen taksat në doganë. Plus që një pjesë e këtyre groshistëve që importojnë produktet ushqimore nga importi, janë shumë të lidhura me qeverinë, janë vëllezër, kushërinj ministrash. Dhe në një farë mënyre nuk kanë asnjë lloj ndjeshmërie ndaj bujqësisë e ndaj fermerit. Për të hyrë pastaj më thellë, shikoni ministrat e bujqësisë që vijnë njëri pas tjetrit. Janë të gjithë njerëz të paditur, që s'kanë asnjë lidhje me bujqësinë. Mund të kenë lidhje ku di unë me astronominë, por asnjë lidhje me bujqësinë shqiptare.