Përmbytjet në Afganistan, 80 të plagosur dhe 100 të zhdukur. Ekipet e kërkim-shpëtimit në terren
Të paktën 20 persona u vranë, 80 u plagosën dhe më shumë se 100 janë zhdukur pasi rrëke balte përfshiu provincën Nuristan, në Afganistanin verilindor.
Kryeqyteti provincial i Paroun është goditur veçanërisht rëndë, por ekipet e shpëtimit raportojnë gjithashtu viktima në zona të tjera të kësaj province malore dhe të paarritshme, e cila kufizohet me Pakistanin.
“Përmbytjet shkatërruan plotësisht bashkinë, si dhe hotele dhe dhjetëra dyqane,” tha për AFP-në Asiqullah Shafi, drejtor i OJQ-së Shpoul në qytetin Paroun.
Banorët po përpiqen, pa pajisjet e duhura dhe me çfarëdo mjeti që kanë, të gjejnë viktima ose të mbijetuar në baltë dhe grumbuj gurësh.
Kryetari i bashkisë së qytetit, si dhe zyrtarë publikë, janë midis të zhdukurve. Autoriteti kombëtar i menaxhimit të emergjencave njoftoi se përmbytjet shkaktuan dëme të mëdha njerëzore dhe ekonomike, duke vënë në dukje se ekipet e shpëtimit janë mobilizuar.