Vangjeli: Nga propaganda e satelitëve te kamerat milionëshe, Rama duhet të japë llogari ku shkojnë të dhënat dhe paratë

I ftuar në ‘Çim Peka LIVE’ në Syri Tv, analisti Lorenc Vangjeli kritikoi mungesën e transparencës së qeverisë për projektin e kamerave inteligjente, duke ngritur pikëpyetje për sigurinë e të dhënave të qytetarëve dhe përdorimin e tyre.

Vangjeli deklaroi se shqiptarët nuk e dinë se ku do të ruhen të dhënat dhe kush mund të ketë akses mbi to, ndërsa theksoi se, nëse është e vërtetë se kamerat kushtojnë gjashtë herë më shumë se çmimi i tregut, atëherë një ditë do të duhet të jepet llogari për procedurat dhe paratë e shpenzuara.

Pjesë nga intervista:

Shiko, fillimisht, dhe për t'i dhënë një farë humori, në fakt ka një gjë pozitive që në krye të herës, sepse kjo ide ka zbritur me këmbë në tokë ose, të paktën, është shkacavjerrë nëpër shtylla.

Po pra, po. Nga satelitët që u reklamuan se do ta bënin Shqipërinë një vend më të sigurt, pra që do të verifikonin gjithçka që ndodhte në territor, nga përmbytjet e zjarret e deri te aksidentet apo ndjekja e krimit, tani jemi te kamerat.

Këtu ka një debat shumë të madh, një debat që është thelbësor dhe parimor: raporti mes sigurisë dhe privatësisë.

Nuk ka asnjë të dhënë që të na rrëfejë apo t'i vërë këto dy momente ballë për ballë. Nuk e dimë se deri në çfarë pike kërcënohet privatësia e qytetarëve shqiptarë. Nuk dihet se ku do të ruhen të dhënat tona. Nuk dihet se cilët mund të jenë aktorët jo lokalë që mund të kenë akses te këto dhe mënyra se si mund të përdoren.

Ndërkohë, nisur edhe nga deklarimi i zotit Ahmetaj, prapë nuk është i qartë studimi i fizibilitetit. Nëse është e vërtetë shifra që thotë zoti Ahmetaj, që njëra kamerë kushton 6 herë më shumë sesa çmimi normal i tregut, atëherë sërish kjo është diçka që do të ishte shumë, shumë problematike.

Unë kam parë abuzime në gjithë Shqipërinë me institucionet tona. Një stilolaps 100 lekë bëhet 10 mijë lekë.

Që nuk do t'ia dijë nevojtorja nga era e shpërthimit të zorrëve. Ti tani po e vizaton Shqipërinë si një gjë të tillë, si një tualet gjigant, edhe thua se kërcitën zorrët edhe atje te kamerat, punë e madhe. Se është normale.

Po nuk është kështu, pra. Nuk është kështu. Në qoftë se ti më rrëfen edhe 100 mëkate të tjera që bëhen kështu, që nga printerët apo lapsat që i citove, kjo nuk legjitimon faktin që kamerat, sipas dëshmisë së zotit Ahmetaj (unë nuk e di këtë gjë), kushtojnë 6 herë më shtrenjtë sesa tregu.

Nëse është kështu, unë nuk e di se kur, por një ditë do të vijë patjetër që do të bëhet kjo tabelë financiare dhe do të thuhet pse kanë kushtuar kaq. Fillimisht, a është procedura në rregull dhe, pastaj, a ka shpërdorim parash apo jo.