Vasili: Televizione, mos transmetoni kur Kuvendi ‘lan’ fytyrën rilindase të institucioneve të pa(varura) të kalbura!
Nga Petrit Vasili
Kuvendi i Shqipërisë, përfundimisht, institucioni më i shkatërruar institucionalisht, politikisht, ligjërisht dhe moralisht, kryen në një ditë, me aksion, në mënyrën më fiktive e të turpshme, në një seancë plenare të vetme, raportimin e një tufe institucionesh të pavarura.
Të kapura dhe totalisht të tredhura nga Rama dhe Rilindja, këto institucione janë thjesht lekë të hedhura kot nga taksat e mundit dhe sakrificës së shqiptarëve.
Kurrë dhe kurrë, në asnjë situatë që kërkon rolin dhe zërin e tyre të pavarur, këto institucione të kapura shfaqen me zërin e çjerrë si të laraskës, që është zëri i qeverisë.
Kurrë dhe kurrë nuk janë këto institucione në krah të qytetarëve dhe halleve të tyre. Megjithëse, për definicion, quhen të pavarura pikërisht për t’u dalë në krah atyre, ato gjithmonë sillen si ushtarë të Rilindjes, duke marrë pozicione të neveritshme gjithmonë vetëm në krah të qeverisë.
Është aq e vërtetë, sa edhe kur raportojnë në Kuvend, ato mbrohen me të gjithë forcën dhe në mënyrë të dhunshme vetëm nga qeveria për çdo kritikë që u bëhet nga opozita.
Ja, shihini si kooperativë në mes të korrikut, ndërsa Kuvendi është duke u mbyllur. Këta, si kopeja e gjësë së gjallë, bëjnë sikur raportojnë formalisht dhe në mënyrën më tragjikomike.
Kapja e çdo institucioni të pavarur ka mbyllur çdo shteg që qytetarët të tregojnë hallet e tyre, të garantojnë të drejtat apo të mbrojnë liritë e tyre, sepse institucionet e pavarura i janë dorëzuar Ramës.
Ndaj i ftoj televizionet që, në respekt të qytetarëve, të mos e transmetojnë seancën kur në Kuvend gjoja raportojnë institucionet e pavarura. Së paku, t’ia kursejnë këtë tallje të pështirë popullit shqiptar.