Edhe një shqiptar kampion bote! Eduard Dervishaj, njeriu që kontribuoi në suksesin historik të Spanjës
Triumfi i Spanjës në Kupën e Botës 2026 nuk ka sjellë krenari vetëm për futbollin spanjoll. Në prapaskenën e këtij suksesi gjendet edhe një emër shqiptar, ai i Eduard Dervishajt, një prej drejtuesve me kontribut të gjatë në Federatën Spanjolle të Futbollit.
Dervishaj është një figurë e njohur për futbollin shqiptar. Ai drejtoi Federatën Shqiptare të Futbollit në vitet 1992-1997, një nga periudhat më të vështira për sportin në vend, ndërsa më pas ndërtoi një karrierë të suksesshme në Spanjë.
Prej afro tri dekadash ai është pjesë e strukturave drejtuese të Federatës Spanjolle të Futbollit, ku ka mbajtur role të rëndësishme organizative dhe drejtuese. Gjatë kësaj kohe ka qenë një nga organizatorët kryesorë të tri finaleve të UEFA Champions League për meshkuj dhe dy finaleve të Champions League për femra, ndërsa ka bashkëpunuar ngushtë me FIFA-n dhe UEFA-n në organizimin e aktiviteteve madhore të futbollit ndërkombëtar.
Përvoja dhe profesionalizmi i tij janë vlerësuar vazhdimisht edhe nga institucionet më të larta të futbollit. Dervishaj ka përfaqësuar FIFA-n dhe UEFA-n në shumë kompeticione të rëndësishme në mbarë botën, duke qenë një nga emrat më të respektuar në fushën e organizimit sportiv.
Së fundmi, sipas gazetarit Ariatik Dosti, ai është përzgjedhur nga qeveria spanjolle dhe Federata Spanjolle e Futbollit për të drejtuar organizimin e Kupës së Botës 2030, që do të zhvillohet në Spanjë, Portugali dhe Marok, një tjetër dëshmi e besimit që gëzon në futbollin ndërkombëtar.