Kryeministri Pedro Sánchez për kampionët e botës: Nuk ka dy pa tre, tani ëndërrojmë Botërorin 2030

Festimet për triumfin e Spanjës në Kupën e Botës 2026 vazhdojnë në Madrid, ku mijëra tifozë kanë dalë në rrugë për të përshëndetur kampionët e rinj të botës. Përpara nisjes së paradës me trofeun në kryeqytetin spanjoll, skuadra e drejtuar nga Luis de la Fuente u prit edhe nga kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez.

Kreu i qeverisë spanjolle falënderoi fillimisht Federatën Spanjolle të Futbollit për organizimin e ceremonisë dhe më pas shprehu mirënjohjen e tij për futbollistët dhe stafin teknik.

“Para së gjithash, dua të falënderoj Federatën, sepse e di sa e madhe është përpjekja për të organizuar këtë moment dhe për ta ndarë këtë triumf me të gjithë popullin. Më pas, një falënderim i madh për stafin teknik dhe lojtarët për futbollin që na dhuruat, për sakrificat dhe për këtë fitore. Ne e kemi shijuar çdo moment të lojës suaj”, u shpreh Sánchez.

Kryeministri kujtoi edhe një nga thëniet më të famshme të legjendës së futbollit spanjoll, Luis Aragonés.

“Më kujtohen fjalët e Luis Aragonés, i cili thoshte se finalet nuk luhen, por fitohen. Ju i fituat të dyja finalet që keni luajtur dhe pse të mos ëndërrojmë që në vitin 2030 të mos ndalemi me kaq? Nuk ka dy pa tre, sidomos kur Spanja do të jetë një nga vendet organizatore të Botërorit”, deklaroi ai.

Fjalët e Sánchez u pritën me duartrokitje nga kampionët e botës, të cilët më pas nisën paradën festive në rrugët e Madridit me trofeun e Kupës së Botës, duke ndarë gëzimin me mijëra tifozë të “La Roja”-s.

Spanja fitoi titullin e dytë botëror pas suksesit 1-0 ndaj Argjentinës në finalen e Botërorit 2026, ndërsa tashmë synon të shkruajë histori edhe në vitin 2030, kur do të jetë një nga vendet organizatore të Kupës së Botës.